Gjatë intervistës në emisionin “Opinion”, kryeministri Edi Rama u pyet nëse po i bën presion SPAK për të arrestuar kundërshtarët e tij politikë. Rama u përgjigj se kjo është ofendim për inteligjencën e gjithë popullit. Ai u shpreh se ajo që ka bërë PS në drejtimin e tij sa i përket drejtësisë është epokale.

Blendi Fevziu: Pyetja ime është e drejtpërdrejtë. E ndikoni ju SPAK-un zoti Rama?

Edi Rama: Për këtë po të jepja përgjigje.

Blendi Fevziu: A i bëni presion SPAK për të arrestuar kundërshtarët tuaj politikë?

Edi Rama: Është ofendim i madh i inteligjencës së gjithë këtij populli kjo. Po përsëris që ajo që ka bërë Partia Socialiste nën udhëheqjen time është epokale. Është e para forcë politike në historinë e këtij vendi që ka marrë një vendim dhe ka shprehur vullnetin më të plotë që të tërheqë fuqinë e vet nga territori i drejtësisë. Dhe me kosto patjetër që ajo drejtësi e çliruar nga pushteti politik do të godasë edhe brenda nesh. Dhe një kosto jo e paftuar, por një kosto e mirëseardhur për mua. Sepse nga pikëpamja organizative, nga pikëpamja administrative, ti mund të bësh gjithçka, por kur vjen puna te gjykimi për vepra penale nuk e bën dot këtë. Për këtë duhet drejtësia, duhet prokuroria, duhet gjykata.

tvklan.al