Socialistët kanë marrë një udhëzim sot në mbledhjen e grupit parlamentar: të vazhdojnë punën të pandikuar nga aksioni i mosbindjes civile që ka nisur opozita. Në mbledhjen e sotme të grupit, e zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit, Niko Peleshi ka kërkuar që kolegët e tij të vazhdojnë aktivitetin e tyre si normalisht.
“Kriza nuk është e jona, dhe as e parlamentit e si rrjedhojë nuk duhet të ndikojë,”-u ka thënë deputetëve kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi. Ndryshe nga herët e tjera, mbledhja ka qënë e shkurtër dhe ka përfunduar, me disktuimet e axhendës në komisione dhe seancë. Por nuk dihet nëse janë diskutuar çështje të tjera si mandati i lënë tashmë i deputetit Jurgis Çyrbja. Ky i fundit është marrë nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre, megjithatë mesa duket çështja e tij nuk është përmendur në takimin mes socialistëve.
Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, opozita nisi aksionin kundër maxhorancës, duke paralajmëruar protestë. Protesta u mbajt të hënën, më 7 tetor, kur shumë institucione u sulmuan me molotovë. Po ashtu, tabelat e reklamimit u sulmuan me shkopinj. Në kuadër të aksionit opozitar, deputetët nuk kanë lejuar zhvillimin e seancave plenare dhe as të Komisioneve. Pritet që nga opozita aksioni të vazhdojë, pasi kryedemokrati Sali Berisha paralajmëroi se do të ketë edhe grevë urie apo dhe ngujim, por nuk dha më shumë detaje. Opozita kërkon qeveri teknike para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në maj të vitit që vjen.