Sipas dokumentacionit Donald Trump akuzohet se kishte përgatitur terrenin për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, përpara se të bëheshin zgjedhjet, dhe se “kishte bërë vepra penale” në përpjekjen e tij të pasuksesshme për të qëndruar në pushtet.
Gjykata i bëri provat e reja publike të mërkurën, duke ofruar kështu një pamje më të plotë të padisë së ngritur ndaj ish-presidentit.
Dokumentacioni i paraqitur nga prokurori i posaçëm Jack Smith jep një pamje të asaj që synojnë të provojnë prokurorët, në rast se çështja ndaj ish-presidentit Trump do të arrijë deri në gjyq. Këtij procesi i ka paraprirë një hetim disamujor i Kongresit që paraqiti një historik të detajuar të përpjekjeve të ish-Presidentit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Por në dokumentacionin e prokurorisë paraqiten rrëfime të reja nga ndihmësit e tij më të afërt, të cilët paraqesin pamjen e një presidenti “gjithnjë e më të dëshpëruar”, i cili ndërsa po humbiste Shtëpinë e Bardhë, “përdori mashtrimin për të goditur çdo fazë të procesit elektoral”.