Qeveria ka hartuar një projektligj që njeh periudhën e punës para vitit 1994.
Projektligji është hedhur për konsultim dhe ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni, të periudhave të punësimit në ish-ndërmarrjet shtetërore, institucione shtetërore, në ish-ndërmarrje bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për ata qytetarë që nuk kanë mundur të sigurojnë dokumentacionin përkatës.
Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado deklaroi në emisionin “Money Report” se qytetarët nuk do të ketë nevojë që të shkojnë në gjyqe por vitet e punës në atë periudhë do t’u njihen automatikisht. Për këtë duhet të bëjnë aplikimin dhe të dorëzojnë një certifikatë që vërteton se në 94-ën kanë jetuar në atë zonë.
“Për shkak të historisë, kolapsit, 97 traumatike, lëvizja e dokumenteve nga kooperativa në arkiva, pasaktësia e mbajtjes së saktë të dokumenteve ka krijuar problem të madh që qytetarët dhe ne si institucion hasim si vështirësi për të verifikuar këto periudha të deklaruara nga qytetarët. Kemi raste që si zgjidhim dot dhe jemi duarlidhur për t’u njohur vjetërsinë e punës. Kemi rreth 3 mijë gjyqe në vit, dhe qytetarët sorollaten nëpër dyert e gjykatës. Kemi parashikuar tre kategori, në ish kooperativën bujqësore, ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet shtetërore. Kemi përcaktuar që qytetari do të sjellë vetëm një certifikatë dhe asnjë dokument tjetër. Nga mosha 18 deri në 1 shtator ’91 e gjithë kjo periudhë do të konsiderohet automatikisht vjetërsi pune pavarësisht sa vite pune ka. Do të sjellë vetëm një deklaratë që ka punuar në kooperativë psh në Prezë, do të sjellë çertifikatë që në ’91 ka qenë banor i Prezës. Iu kemi dhënë një mbrojtje shoqërore bazë, çdo individ që ka bërë punë të ndryshme nga kjo, nuk do t’i hahet haku, do të verifikohet dhe do t’jua lidhim pensionin në bazën e vjetërsisë reale”, u shpreh Hado./ABCNEWS ALBANIA