PËR SHPËRNDARJEN E FONDIT TË KOMPENSIMIT NË VLERË PËR PRONARËT E PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton se, më datë 11 . 10 . 2024, ka përfunduar procesin e shqyrtimit për 113 (njëqind e trembëdhjetë) kërkesa, të cilat përfitojnë këstin e parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të kompensimit në të holla në një total prej 70% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse.
Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.
Për 113 (njëqind e trembëdhjetë) kërkesat, e mësipërme, për të cilat ka përfunduar procesi i shqyrtimit nga ana e ATP-së, ka rezultuar se dokumentacioni i tyre është në përputhje me kriteret e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar.
Fondi financiar që shpërndahet nga ATP për këto 113 (njëqind e trembëdhjetë) kërkesa, është në vlerën: 247 062 129,76 (dyqind e dyzet e shtatë milion e gjashtëdhjetë e dy mijë e njëqind e njëzet e nëntë presje shtatëdhjetë e gjashtë) lekë.
Të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën bashkëlidhur këtij njoftimi.
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.