Ilir Shaqiri është ndalur në Kosovë për t’u bërë thirrje talenteve të reja që t’i bashkohen talent show-t “Yjet Shqiptarë të Diasporës” më 2 nëntor në Prishtinë. Në intervistën për “Canape” në T7, koreografi foli me shumë pasion për këtë projekt në të cilin është përfshirë plotësisht.
Intervista u zhvillua paralelisht edhe me formatin që ai ka lënë pas, “Big Brother VIP”. Iliri tha se arsyeja që asokohe pranoi menjëherë ishte fakti që mori pjesë në edicionin e parë dhe jo të mëvonshmit, për të cilët do të ishte menduar disa herë.
Në fund, ai u vendos edhe përpara një zgjedhjeje për dy moderatorët e formatit: Arbana Osmani apo Ledion Liço, që ai u përgjigj si gjithnjë me shumë diplomaci.
Ilir Shaqiri: Janë dy stile moderimi komplet ndryshe njëra nga tjetra, unë nuk dua t’i bëj qejfin as njërit, as tjetrit sepse i njoh që të dy dhe mendoj që secili nga të dy kur ka qenë tek ajo skenë që është shumë e vështirë për të ndenjur dhe për të pasur gjithë kohën atë lloj trysnie mediatike dhe publike, mendoj se secili nga ata të dy e ka prezantuar veten në kulmin e tij dhe pse jo, ta prezantojnë të dy njëherë. Do të ishte diçka abstrakte, pse jo, reale! Imagjino tani një Arbana-Ledion të prezantojnë ‘All Stars Big Brother Albania’. Do të vijë një ditë që ndoshta do të na mbledhin.
-Do të hysh nëse do të vijë ftesa?
Ilir Shaqiri: Ti si thua?
-Patjetër. Po e marr një përgjigje “po”.
Ilir Shaqiri: Patjetër që po, do ta bëja me shumë qejf sepse do të kisha të bëja me ekspertët e Big-ut dhe do të doja të kuptoja sa ekspert jam unë me ata.
-Kujt do t’i trembeshe më shumë?
Ilir Shaqiri: Vetes sime.