Moderatorja Arbana Osmani ka folur për planet e saj profesionale dhe rikthimin e saj në televizion prej më shumë se një viti shkëputje. Ajo tha për “Oxygen” se po planifkon të bëjë diçka që nuk e ka bërë më parë, por nuk është një podcast.
“Po përpiqem të bëj diçka që nuk kam bërë përpara, me gjithçka që kam bërë përpara. Pra, pak ‘Big ‘Brother, pak reality, pak ‘Dua të të bëj të lumtur’, pak ‘1001’ pse, pak muzikë, pak festival. Unë kam pasur fatin të bëj shumëllojshmëri programesh dhe të gjitha kanë nga pak unë, pak Arbana. Unë jam emocionale, e bëj me pasion. Asgjë nuk e bëj për kot. Dua të kënaqem. Nuk është Podcast”, tha moderatorja.
Më parë u përfol se Osmanit iu ofrua të prezantonte “Big Brother VIP Kosova” por refuzoi. Osmani i hodhi poshtë këto pretendime duke thënë se nuk janë të vërteta, pasi nuk mund të largohej nga Shqipëria. Ajo tha se të zhvendosurit në Kosovë është një vendim i rëndësishëm, pasi këtu ajo ka njerëz të afërm që nuk do të mund t’i shihte nëse largohej.
“Pse të bëjmë këto ndasitë Shqipëri Kosovë. Nuk kam qenë gati unë. Ka shumë arsye për të marrë vendime të tilla të rëndësishme. Nuk janë vendime hap e mbyll sytë, sidomos ardhja në Kosovë. Prek shumë njerëz të rëndësishëm në jetën time dhe më është dashur t’i mendoj dhe peshoj mirë”, tha ajo.