Të dhënat e publikuara nga Barometri i Ballkanit 2024 tregojnë se në nivel rajonal, udhëtimet për qëllime turistike mbeten kategoria më e madhe me 72% të qytetarëve që zgjedhin të udhëtojnë për këtë arsye.
“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar se cilat janë arsyet e udhëtimit të qytetarëve të shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Sipas shifrave, Kosova renditet në vendin e parë me 92% të qytetarëvë që kanë udhëtuar për qëllime turistike, një shifër shumë më e lartë në krahasim me mesataren rajonale.
Edhe për qytetarët shqiptarë fokusi i udhëtimeve ka qenë turizmi. Konkretisht, 76% e udhëtimeve të tyre kanë qenë për qëllime turistike, një përqindje më e lartë krahasuar me mesataren rajonale, që është 72%. Ndërkohë, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi janë ndër vendet që shfaqin një përqindje më të ulët të udhëtimeve për turizëm në krahasim me Shqipërinë, me 69% dhe 38% përkatësisht.
Ndryshe ndodh udhëtimet për qëllime biznesi, ku vetëm 10% të qytetarëve shqiptarë udhëtojnë për këtë arsye. Nga ana tjetër, Mali i Zi ka përqindjen më të lartë të udhëtimeve për qëllime biznesi në rajon, me 27%.
Në Kosovë vetëm 10% e udhëtimeve janë për biznes, një shifër e ngjashme me Shqipërinë, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë kjo kategori është pak më e lartë me 17%. Maqedonia e Veriut gjithashtu tregon një përqindje të moderuar prej 14% të udhëtimeve të lidhura me biznes. Serbia ndodhet në nivelin e mesatares rajonale, me 15% të udhëtimeve që ndërlidhen me biznes dhe aktivitete profesionale.
E kundërta ndodh me udhëtimet për trajtime shëndetësore ku Shqipëria renditet mes vendeve me përqindjen më të ulët pas Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në vende si Kosova dhe Bosnje Hercegovina, udhëtimet për arsye shëndetësore ishin më të shpeshta, ku 7% të udhëtimeve ishin të dedikuara për këtë qëllim.
Në aspektin e arsimit, udhëtimet për qëllime edukative përbëjnë 1% në Shqipëri, që është një tregues modest krahasuar me disa vende të tjera të rajonit, si Mali i Zi me 3% apo Kosova dhe Bosnje Hercegovina me 4% dhe 6% respektivisht./Scan