Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot një vizitë në bashkinë e Skraparit, ku bashkëbisedoi me autoritetet lokale dhe banorët e zonës për gjetjen e mundësive të zhvillimit të mëtejshëm të kësaj zone.
Investimet në infrastrukturë, turizmi i qëndrueshëm i bazuar në cilësi shërbimi dhe në promovimin e paketave malore, mbështetja e fermerëve dhe blegtorëve, si dhe lehtësirat fiskale për sipërmarrjet në shërbim të qytetarëve, ishin në fokus të bisedave.
Presidenti i Republikës u përcolli mirënjohje banorëve të Skraparit për bujarinë dhe mikpritjen.
Krahas këtij aseti të çmuar, Presidenti Begaj theksoi se investimet në infrastrukturë, siguria ushqimore dhe ajo shëndetësore do të ndihmojnë në rritjen e turizmit në zonë.
Kreu i Shtetit këshilloi autoritetet e zonës që të fokusohen në zhvillimin e mëtejshëm, në veçanti të turizmit malor.
”Besoj se me trendin e ri të turizmit malor, vizitorët do të vijnë nga deti për në mal për të prekur edhe natyrën apo magjinë e vendeve si Skrapari. Jam i sigurt se paketa e maleve, që do të bëhet tani për turizmin, do të përfshijë edhe Skraparin“, u shpreh, ndër të tjera, Kreu i Shtetit, duke theksuar se nisma si këto do t’i japin mundësi bashkive për më shumë frymëmarrje dhe për të pasur kapacitete turistike të një cilësie të lartë.
Presidenti Begaj shprehu bindjen se investimet e duhura, si ato të furnizimit me ujë 24 orë apo përmirësimit të infrastrukturës rrugore, të realizuara tashmë apo në proces, do të sjellin me siguri një rigjallërim të kësaj zone.
Presidenti Begaj la porosi për bashkinë e Skraparit shtimin e kujdesit ndaj moshës së tretë.
Gjatë takimit me një grup të moshuarish, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e shërbimit shëndetësor e të rigjallërimit të bibliotekës, si dhe krijimit të lehtësirave fiskale për kafe-libraritë.
Me ftesë të kryebashkiakut Adriatik Mema, Presidenti i Republikës vizitoi dhe panairin tradicional të Skraparit, ku dhjetëra fermerë e blegtorë ekspozuan produktet e stinës, zahiretë e dimrit dhe rakinë e prodhuar në mënyrën e vjetër tradicionale të skraparllinjve, veçanërisht të mirënjohur për të.
Presidenti Begaj vlerësoi se festivale të tilla shërbëjnë si festa lokale, por edhe si shtysë për rritjen e vizitorëve, duke deklaruar se është detyrim i çdo institucioni, vendor apo qeveritar, të përkrahë me politika lehtësuese bujqësinë dhe blegtorinë, që mundi i banorëve të shpërblehet.