Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë një “parashikim fatit” të Gazment Bardhit. Ditën e djeshme, në fjalimin e përnatshëm para demokratëve, kryedemokrati Berisha lajmëroi se kreun e grupit parlamentar të PD-së e pret i njëjti fat si Ervin Salianjin. Pra burgimi! Madje i ka caktuar edhe afatin. Sipas Berishës, demokrati do të arrestohet brenda tre muajsh, shkak për arrestimin e Bardhit do të jetë akuza që ky i fundit ka ngritur ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama.

“E festuan me shampanjë burgosjen e Ervin Salianjit. Por jo vetëm kaq, ua them ju këtu, e festuan me betim njëlloj si padrinot në shpellat e mafies se për tre muaj, të njëjtin fat do ketë edhe Gazment Bardhi,”-tha në fjalën e tij, Berisha.

PJESË NGA FJALA E BERISHËS:

Berisha: Vëllazëria Xhafaj dhe vëllazëria Rama janë zotuar se edhe Gaz Bardhi do ketë fatin e Salianjit! Prandaj ka vetëm një rrugë, betejë dhe vetëm betejë

Qytetarë dhe qytetare, Ervin Salianji është sot në burg sepse guxoi të mbrojë interesin tuaj, sepse sulmoi në zemër dy vëllazëritë më të rrezikshme të drogës, vëllazërinë Xhafaj dhe vëllazërinë Rama. Qytetarë dhe qytetare, dua t’u informoj sonte se vëllazëria Rama dhe vëllazëria Xhafaj e festuan me shampanjë burgosjen e Ervin Salianjit. Por jo vetëm kaq, ua them ju këtu, e festuan me betim njëlloj si padrinot në shpellat e mafies se për tre muaj, të njëjtin fat do ketë edhe Gazment Bardhi. Sepse Gaz Bardhi, siç jeni ju në dijeni, e riktheu në skenë Olsin e Xibrakës, këtë kriminel trafikant, të pangopur, të cilin Edi Rama e përdor për punët e tij më të pista. Edhe ne jemi sonte këtu, do jemi në ora 18:00 me datën 7 tetor me betim solemn, se vëllazërinë Xhafaj dhe vëllazërinë Rama dhe çdo vëllazëri tjetër, me forcën e ligjit, me gërshërët e ligjit do t’i çojmë atje ku e meritojnë. Ka vetëm një rrugë për ne, betejë, betejë dhe vetëm betejë. Cilido që mendon se krimi nuk duhet të vendosë për fatin e tij, se krimi nuk duhet të vendosë për vullnetin e tij, se krimi dhe droga nuk duhet të vendosin për të ardhmen e tij, duhet të bashkohet me ne ditën e hënë sepse në Shqipëri, krimi, droga, mafia janë vendimmarrësit absolutë kryesorë.

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji po kryen dënimin në burgun e Fierit, pasi Apeli e shpalli të fajshëm për “kallëzim të rremë” për dosjen ‘Babalja’. Me dënimin e tij, Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, por ashtu siç pritej, politikani demokrat e apeloi vendimin në Gjykatën e Lartë. Por sërish mandatin e ka humbur! Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike.