Luhatjet e kursit të këmbmit po orientojnë marjen e kredive nga bizneset në lekë.Kjo tendencë ka rezultuar më e fortë sidomos gjatë këtij viti ku është regjistruar një luhatje e fortë në kursin e këmbimit.Rezulton se në terma vjetorë, portofoli i kredisë për bizneset në Lek u rrit me 17%, ndërsa kredia në valutë u rrit me 8%.
Ndikim në orientimin e biznesve në kreditë në lekë ka pasur edhe norma e interesit.Norma e interesit për lekun ka qenë më e vogël dhe më e qëndrueshme nëse e krahasojmë me institucionet e tjera si Banka Qendrore Europiane
Sipas Bankës së Shqipërisë kreditë e reja në Lek me normë interesi të fiksuar për një periudhë më pak se një vit, kanë shënuar norma midis 6% dhe 6.5%, duke paraqitur një normë më të ulët sesa kreditë e reja në Euroqë rezultuan pak më të larta .
Por për çfarë po i përdorin kreditë bizneset shqiptare?Nga të dhënat vërehet se stoku i kredive të biznesit, të klasifikuara sipas qëllimit të përdorimit, dominohet nga kreditë për blerje pasurish të paluajtshme me një peshë prej 38%, ndjekur nga kredia për shpenzime operative me 24%, kredia për blerje pajisjesh me 20% dhe ajo për kapital qarkullues me 15%.Treguesit e kredisë për bizneset sipas qëllimit të përdorimit pasqyrojnë rritje të fortë në kredinë për pasuri të paluajtshme dhe pakësim të kredisë për blerje pajisjesh. Kjo ecuri është ndikuar nga riklasifikimi i një pjese të portofolit të kredisë nga sektori bankar midis këtyre dy kategorive.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se huaja e dhënë për bizneset në sektorin e tregtisë dhe shërbimit kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë muajve të fundit. Tregtia me pakice dhe ajo me shumicë kanë marrë më shumë mbështetje gjatë muajit gusht në krahasim me të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë.
Bankat kanë rrituar huadhënien gjatë gushtit.Sipas të dhënave të fundit nga “Banka e Shqipërisë”, totali i kredisë ka arritur në 812.3 miliardë lekë në Gusht të vitit 2024, me një rritje prej 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare.