Fushata për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ende nuk ka nisur por debatet, po! Kësaj here deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe është përplasur “virtualisht” me kreun e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. E gjitha nisi nga një raportim i kryekomisionerit Ilirjan Celibashit në Komisionin e Dezinformimit që kryeson Braçe.
Të dy, ranë dakord që organizatat politike duhet të deklarojnë burimet e tyre të financimit, ndërsa Braçe tërthorazi përmendi rastin e Lapajt. Përgjigjen e mori në rrjetet sociale nga ky i fundit.
“A zoti Braçe, zoti Braçe…je shqetësuar shumë zoti Braçe! Së pari në këto 13 muaj “Lëvizja Shqipëria Bëhet” ka funksionuar si një organizatë jo fitimprurëse e regjistruar pranë Gjykatës së Tiranës. Së dyti, nëse nuk e mban mend ligji për TVSH në nenin 3 përcakton se të gjitha organizatat jofitimprurëse janë të përjashtuara nga detyrimet tatimore. E vërtetë ne nuk jemi mësuar që të fshehim kontributet që na japin qytetarët. I deklarojmë më krenari se janë lekë gjaku dhe djerse. Po iu duken shumë këto? Pikërisht ju të Nusretit, juve të avionit personal, juve që jeni 25 vite deputet i një partie që kalon miliona shpenzime. Këtu iu kanë shqetësuar rehatin ju? Po nuk keni faj se ju e dini që përballë tashmë nuk e keni një opozitë të blerë me lekët që vidhni,”-thotë Lapaj në përgjigjen e tij.
Kundërpërgjigjia i erdhi nga Braçe, i cili nuk i kurseu tonet e ironisë. Sipas tij, qëllimi i tij është vetëm që të deklarohen palët e treta. E po ashtu, lëshoi edhe një deklaratë me nëntekst të fortë ku thotë: Po të shëtisësh nëpër Divjakë me njerëz që miellin e hanë me hundë dhe jo si byrek përmes gojës, patjetër që nuk kupton asgjë. Megjithatë nuk përmendi asnjë emër të personazheve “problematikë” me të cilën pretendon se shoqërohet Lapaj.
“Është i madh fare. Zoti Lapaj është shumë i madh. Në fakt unë nuk flas a është i regjistruar apo jo? Unë flas për këtë këtu… Për të 10 mijë euro në muaj janë karamele. Në fakt 10 mijë euro në muaj bëjnë 120 mijë euro në vit dhe janë fitimi i një kompanie mesatare shqiptare në vit. Nuk e kam shqetësim fare a paguan TVSH se ligjin e njoh shumë më mirë se ky. Unë i bëj, ky thjesht i lexon për t’i zbatuar…kurrë. Ajo që kam kërkuar nga kreu i KLSH ka të bëjë me faktin që këto lëvizje që janë politike të deklarojnë pranë KQZ si çdo lëvizje tjetër politike. Ajo që është e rëndësishme është ajo që kemi ndarë që duhet të deklarojnë të tretët. Një shqetësim është kush e financon këtë? A mund ta dimë pak se kush janë ata në të gjithë botën që e financojnë këtë? Unë e di që në Shqipëri nuk dhuron njeri para. Sa për merakun që ke për mua zoti Lapaj unë nuk kam qenë kurrë në Dubai, nuk ulem kurrë në tavolina të shtrenjta. Unë 28 vite në parlament nuk jam për të bërë llapa-llapa, jam me votën e njerëzve. Po të shëtisësh nëpër Divjakë me njerëz që miellin e hanë me hundë dhe jo si byrek përmes gojës, patjetër që nuk kupton asgjë,”-iu përgjigj Braçe.
Debati deri më tani ka mbetur me kaq.