Në faqen online të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen dhe Antikorrupsionin, janë publikuar përgjigjet e organeve të reja të drejtësisë të ftuara për të çuar ekspertët e tyre në këtë komision.
Nga dokumentet e publikuara vërehen dy qëndrime të ndryshme përfaqësimi në këtë komision mes SPAK dhe BKH.
Prej krijimit të këtyre dy organeve të reja të drejtësisë për çështje të karakterit të kompetencave janë shfaqur divergjenca të ndryshme.
E njëjta gjë duket se mund të ketë ndodhur edhe me përfaqësinë në këtë komision, të cilit i ka mbërritur një përgjigje pozitive për pjesëmarrje në komisionin Xhafaj prej kreut të BKH Aida Hajnaj.
“Byroja Kombëtare e Hetimit do të përfaqësohet nga Aida Veizaj Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Alban Kalaja Hetues dhe Shef i sektorit të kundër korrupsionit në BKH.
Ndërsa në cilësinë e anëtarëve të sekretariatit teknik me Eduard Merkaj Këshilltar i Drejtorit të BKH dhe Sadleva Bodo Këshilltare e Drejtorit të BKH” thuhet në përgjigjen ndaj këtij komisioni datë 20.08.2024.
Ligji Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Neni 5 thotë:
“Byroja Kombëtare e hetimit është strukture e specializuar e policisë gjyqësore qe heton veprat penale ne juridiksion penal të prokurorisë së posaçme sipas parashikimeve të kodit të procedurës penale.
Ndërsa Neni 31 parashikon se “Byroja Kombëtare është një strukturë e specializuar e policisë gjyqësore që vepron vetëm në drejtimin e prokurorisë së posaçme”.
Pra BKH vepron e ndërvepron nën drejtimin e kreut të SPAK.
Por a është konsultuar drejtoresha e BKH Aida Hajno me kreun e SPAK për përgjigjen e dhënë Komisionit Xhafaj?
Gazetari Top Channel Muhamed Veliu për këtë përmes postës elektronike i kërkoi një koment drejtoreshës së BKH.
Deri këtë moment të publikimit të këtij shkrimi nuk ka ende një përgjigje nga BKH.