Në një intervistë për Ora News, deputeti i PS, Ilir Metaj iu përgjogj disa pyetjeve mbi aktualitetin politik. Në lidhje me bojkotin e komisioneve nga PD, ai tha:

“Bojkoti i komisioneve është një taktikë e njohur nga PD, që më shumë është mungesë idesh sesa strategji politike.

E pengon përkohësisht ritmin e punës, por nuk arrin të ndalojë funksionimin e institucioneve dhe produktivitetin parlamentar. Treni i reformave aq të rëndësishme për Shqipërinë, ecën përpara, edhe nëse PD zgjedh të mbetet në stacion.”

Për pyetjen “si e vleresoni faktin qe PD nuk paraqitet as në Komisionet qe i ka thirrur vete si ai hetimor i shendetesise ku ju beni pjese”, ai tha:

“Është ironike një situatë e tillë absurde. Thërrasin komisione për të hetuar, dhe pastaj ikin vetë. Kjo tregon se edhe ata e dinë që padia e tyre nuk ka bazë reale dhe se e bëjnë vetëm si lojë politike.

Duken si mësuesi që thërret nxënësin të japë provimin, dhe më pas nuk paraqitet vetë”.

Ai tha gjithashtu se, nëse PD ka zgjedhur të ndërpresë marrëdhëniet me parlamentin, është një zgjedhje e tyre, por parlamenti vazhdon të funksionojë.

“Ne do të jemi aty për të përfaqësuar qytetarët dhe për të mbrojtur interesat e tyre. Në fund të fundit, është detyra jonë të jemi zëri i atyre që na zgjodhën, dhe asnjë skenar i improvizuar nga PD nuk mund ta bllokojë këtë mision.

Nëse PD vendos të ndërpresë marrëdhëniet me realitetin, ne nuk kemi ç’të bëjmë për ta kthyer nga bota paralele.

Ata kanë zgjedhur të bëjnë rolin e Sizifit duke përpjekur të ngjisin gurin e rëndë të fatit personal të Sali Berishës dhe familjes së tij.

Duan qeveri teknike? Dialogu është gjithmonë i mirëpritur, por dialogu nuk është sinonim i kapitullimit përballë kërkesave absurde.

Qeveritë nuk ndërrohen si uniformat e futbollistëve në pushimin e pjesës së parë, për të veshur të rejat për pjesën e dytë të lojës.

Ato zgjidhen nga populli, dhe ne jemi këtu për të respektuar vullnetin e tij. Çdo kërkesë për qeveri teknike është thjesht një alibi për të mos përballuar realitetin e zgjedhjeve”, tha ai.