Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, vendimin që përmirëson ndjeshëm trajtimin financiar të personelit të Forcave të Armatosura. Ky vendim synon të forcojë kapacitetet kombëtare dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të Mbrojtjes Civile. Rreth 6 000 efektivë do të përfitojnë nga ky vendim; 2.500 prej tyre e marrin për herë të parë shtesën mbi pagën.
Trajtim më të mirë financiar do të përfitojnë edhe kapacitete kombëtare si; Forcat Speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, Njësia Cyber, Dronët, forcat e dedikuara për emergjencat civile dhe shumë e shumë kapacitete të tjera.
Trajtimi financiar për personelin fluturues dhe mbështetës, sipas këtij vendimi, do të variojë deri në 100.000 lek mbi pagën në muaj dhe nga ky vendim përfitojnë rreth 200 ushtarakë. Për efektivët e Agjencisë së Inteligjencës, trajtimi financiar mbi pagën shkon deri në 20.000 lek në muaj për rreth 150 ushtarakë. Për ushtarakët aktivë të strukturave të tjera, shtesa mbi pagën shkon deri në 70.000 lek në muaj, duke përfshirë edhe ata ushtarakë që nuk e kanë përfituar më parë këtë shtesë. Ky vendim vjen vetëm 4 muaj pas rritjes së pagave që u bë për kategori të caktuara të Forcave të Armatosura.
Prej vitit 2022 pagat e efektivëve të FA kanë pësuar rritjen më të madhe në histori, prej gati 40%.