Deputeti socialist, Petro Koçi ka komentuar kaosin e krijuar nga opozita në Kuvend dhe djegien e karrigeve. Në emisionin ‘Repolitix’ në Report TV, Koçi thotë se halli i vetëm i opozitës është drejtësia.
Krim i organizuar e quan Koçi skenarin e djegies së karrigeve jashtë oborrit të parlamentit, ndërsa thotë se deputetët e PD po i shërbejnë Berishës, pasi ky i fundit do të vendosë listën e deputetëve për zgjedhjet parlamentare 2024.
Për Koçin, PD kërkon qeveri teknike me qëllimin e vetëm që bandat elektorale të kenë liri.
“PS nuk është se ka shumë në dorë në kuptimin, që nuk është një marrëdhënie kërkesë ofertë. Problematika kryesore që ka vëmendjen e opozitës është drejtësia. Ata godasin qeverinë, gjithnjë me idenë se duan me spont të godasin drejtësinë. Janë problemet personale të Berishës.
Ky është njeriu që firmos listat e ardhshme për deputetë. Kemi individë nga opozita që deri dje kanë qenë shumë normal, brenda pak ditësh u shndërruan në qenie komplet tjetër.
Ishte gjithçka e organizuar, nëse i vëmë emrin krim, është krim i organizuar, merr karriget i nxjerr jashtë, njëri merr benzinë, tjetri nxjerr çakmakun, ky nuk është fare skenar politik, është ordiner.
Ndoshta kanë menduar se do pengohej zhvillimi i konferencës ndërqeveritare, gjë që dështoi. Ky ishte një nga qëllimet. Është shumë e rëndë ajo që ndodhi në Kuvend.
Qëllimi afatmesëm është lirimi i Berishës dhe qëllimi afatgjatë janë zgjedhjet. Duan një qeveri teknike që mos të ketë pushtet. Duan një situatë pa kontroll dhe të bëjnë si duan bandat elektorale”, tha Koçi.