Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale për dhunën e një dite më parë në parlament, nga deputetë të opozitës.
Hoxha shkruan se ngjarja do të referohet në SPAK, ndërsa thekson se çdo akt vandalizmi brenda apo në dyert e tij, është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht.
Postimi i plotë:
“Flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi. Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda apo në dyert e tij, është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht.
Pengim i ushtrimit të funksioneve kushtetuese,
Heqja me dhunë e të drejtës së fjalës,
Goditja për shkak të detyrës
Rrezikimi I jetës së deputetëve duke i goditur me mjete të forta
Shkatërrim me zjarr i pronës publike, ishin akte të rënda dhune dhe vandalizmi
Në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit.
Zjarrvënia, por dhe aktet e tjera të dhunës gjatë seancës parlamentare, ishin vendngjarje për organet ligjzbatuese.
Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin. Ngjarja do të referohet në përfundim të këtyre veprimeve, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta, që kanë deputetët.” shkruan Hoxha.