Bashkimi Europian i ka kërkuar Greqisë të respektojë “prezumimin e pafajësisë” dhe të drejtën për të qenë i pranishëm në gjykimet penale.
Greqia po akuzohet për të njëjtën gjë, për të cilën politikanët dhe zyrtarët e lartë grekë, pak muaj më parë akuzonin Shqipërinë se nuk e respektonte, në çështjen e Fredi Belerit.
Autoritetet greke pretendonin se Belerit nuk i respektohej prezumimi i pafajësisë, duke e bllokuar atë nga mundësia për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës.
Megjithatë, duket se është vetë Greqia që i ka shkelur direktivat e BE-së, për çka Organi ekzekutiv i BE-së ka vendosur të nisë një procedurë shkeljeje.
Së bashku me Greqinë, kërkesa u është drejtuar edhe Luksemburgut, Maltës, Sllovenisë, Sllovakisë dhe Suedisë.
Kjo direktivë është një nga gjashtë të miratuara nga BE-ja për të vendosur standarde minimale të përbashkëta që sigurojnë gjykime të drejta dhe mbrojtje adekuate të të drejtave të të dyshuarve dhe të akuzuarve në të gjithë bllokun. Në mënyrë të veçantë, Komisioni konstatoi se masat e njoftuara nga Greqia nuk përfshijnë saktë dispozitat e direktivës në lidhje me referimet publike për fajësinë dhe gjykimet në mungesë.
Greqia tashmë ka dy muaj për t’iu ërgjigjur dhe për të adresuar mangësitë e theksuara nga Komisioni. Nëse ata nuk japin një përgjigje të kënaqshme, Komisioni mund të vendosë të nxjerrë një opinion të arsyetuar.