Avokati Idajet Beqiri teksa ka komentuar arrestimin e Ilir Metës tha se kreu i PL-së e dinte që do të ndalohej dhe vazhdimisht ka tentuar t’i shmanget arrestimit.
“Së pari, ai tentoi të arratisej. Ka kaq kohë që nuk la vend pa vajtur. Në Gjermani, të rregullonte raporte mjekësore, se ishte i sëmurë etj…
Edhe në Kosovë ai vajti që të arratisej. Në Hungari nuk ia morën përsipër, e të tjera me radhë. Ai e pa që në çdo vend që do shkonte do të ekstradohej. Krimet janë të tilla që nuk të mban askush për korrupsion të lartë në pozita të tilla, kryeministër, president.
Së dyti, ai e dinte që mbështetësit dhe më kryesorët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do e linin të ikte. E dinte, por nuk kishte ç’bënte,” u shpreh avokati në emisionin “Jetë shqiptare” në RTSH.
Arrestimi i Metes u krye nga Policia në hyrje të kryeqytetit, teksa ish-presidenti po i drejtohej selisë së partisë së tij për një konferencë shtypi. Sipas avokat Beqirit, arrestimi ishte më i duhuri aty ku ndodhi, pasi në çdo vend tjetër do të ngrinte dyshime.
“Në selinë e PL-së do të ishte shumë më keq, sepse do të vinte, do të mobilizonte simpatizantët e vet, Tedi [Blushin] me shokët. Ata japin jetën për Ilirin. Do bërtisnin, do ta ruanin Metën me trupat e tyre, mund të kishte armë në selinë e Partisë së Lirisë,” deklaroi Beqiri.