Kush njeh të shkuarën, nuk e rikthen më atë.

Por ndërkohë mijëra dosje presin të lexohen. Në ambientet e Autoritetit të informimit mbi dokumentet e ish-sigurimit të shtetit u organizua me mbështetjen e OSCE-së një vizitë në arkiv për të parë nga afër punën e arkivistëve e për të mësuar më shumë si përgatiten të dhënat për lexim, si mund të përdoren ato e si duhet mbrojtur privatësia e viktimave të regjimit.
Dosjet e të dënuarve janë marrë nga ministria e brendshme apo edhe nga SHISH.

Qasja në dosjet e ish-sigurimit të shtetit shqiptar u plotësua edhe me ndarjen e përvojës nga ish zëdhënësja për arkivën e Stasit, ekspertja gjermane Dagmar Hovestadt.
“Historitë që më kanë mbetur në mendje vec torturave për vdekje, që janë të dhimbshme për të gjithë sigurisht, më e tmerrshme është të përballesh me tradhëtitë; që një shok apo më keq një vëlla ose vetë nëna spiunon fëmijën apo njeriun e zemrës. Nuk është fare e lehtë të dish kush të ka thyer besimin, por është po aq e vështirë edhe për autorin të pranojë fajin e të thotë që “po, kam bërë gabim!” Ndaj dhe njerëzit nuk duan shpesh të shikojnë pas të kaluarën. Por ajo nuk fshihet, vetëm se ti nuk do! Është gjithmonë aty, duhet ta lësh të dalë në sipërfaqe, që të pastrohet ajri dhe të shtrosh një rrugë më të mirë për të ardhmen”, tha Hovestadt.
Diskutimi mbi interpretimin e të dhënave në dokumentet e ish-sigurimit të shtetit u fokusua te koncepti midis dy kohëve; të vërtetat e komunizmit që përplasen me të vërtetat e shoqërisë demokratike.
“Nuk është se do të përballeni thjesht me ca letra. Por do të futeni te e shkuara më e errët e vendit. Ndërsa do të shihni arkivat, do të kërkoni të vërtetën, e do të lexoni të vërtetat e tyre”, tha Mauro Puzzo.
“Në arkivë do të gjeni gjysmën e historisë së shtetit shqiptar. në 50 vite komunizëm u ndërtua një aparat propaganda, censure dhe shkeljesh të drejtash të njeriut, jo vetëm për mohim fjale por mohim jete dhe jo vetëm për kundërshtarin politik por edhe në 3 breza të familjes së tyre”, tregon Gentiana Sula.