Kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar në Fier me fokus skemën e pensioneve, theksoi se është bërë një plan tjetër shumë agresiv. Kjo shtoi Rama është bërë me qëllimin për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrjet.

“Ne vazhdojmë të kemi një problem serioz të detyrimeve shoqërorë nga punëmarrësit dhe këtu është koha të bëjmë një përpjekje të fuqishme, pasi jemi në kushtet ku rritja ekonomike dhe rritja e mundësive na e ka krijuar hapësirën të diskutojmë se çfarë do të bëjmë. Ne jemi PS e Shqipërisë dhe nëse nuk e kemi që qendër të vëmendjes pensionistin, këtë emër nuk e meritojmë. Por rritjen e pensioneve nuk është diçka që mund ta bësh nga dëshira…Sot që flasim ne qeveria buxheti i shtetit mbulojmë me afro 500 milionë euro diferencën mes sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Nuk diskutohet që ne jemi të gatshëm të paguajmë jo këtë pjesë, por edhe më shumë. Problemi është tek mbajtja e një balance të shëndetshme që të mos pengojë shtetin të funksionojë siç duhet. Taksat janë për të paguar të gjitha ato që i duhet shtetit që të funksionojë. Taksat janë për shkolla, sigurime shoqërore, infrastrukturë, për të financuar mësuesit, mjekët, punonjësit e policisë që të gjithë këta janë në shërbim të shoqërisë dhe sigurimet janë për pensionistët. Në 2014 kemi bërë reformë dhe kemi rritur mbi 300 mijë, por ka ende një shmangie të konsiderueshme nga deklarimi jo i vërtetë i pagave. Mjafton të shohim çfarë ndodh me turizmin apo ndërtimin, deklarimi i pagave është më i ulët sepse qoftë punëdhënësit dhe punëmarrësit mendojnë që këto para që janë për pensionistët janë një ngarkesë që mund ta heqin duke “i shkelur syrin njëri-tjetrit”. Kur mbledhim sigurime shoqërore kalojnë tek ata që janë nën pension. Për këtë ne kemi bërë një plan tjetër shumë agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrjet, por edhe nga ata që janë punëmarrës dhe pranojnë të marrin në dorë paratë, duke bërë një dëm dyfish.”, tha ai.