Autoriteti Rrugor Shqiptar me anë të një postimi në rrjetet sociale bëjnë me dijë se po vijojnë punimet për rikonstruksionin e rrugës Kombinat-Ndroq-Plepa, Loti 1, me gjatësi 4.8 km. Në njoftimin e tyre ata theksojnë se aktualisht po punohet në aksin që nis në dalje të Kombinatit dhe përfundon afër fshatit Pezë-Helmës.
Ndërkohë edhe kryeministri Edi Rama ka publikuar sot disa foto nga puna, ku shkruan se do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të krejt zonës, si edhe Shqipërisë Turistike me një tjetër rrugë panoramike për vizitorët e turistët.
”U ndez drita jeshile edhe për rrugën e vjetër Kombinat-Ndroq-Plepa, ku ka nisur rindërtimi për segmentin e parë deri në Pezë-Helmës dhe do të vijojë me segmentin tjetër, deri në përfundimin e projektit të zgjerimit e rehabilitimit të plotë të këtij aksi, i cili do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të krejt zonës, si edhe Shqipërisë Turistike me një tjetër rrugë panoramike për vizitorët e turistët e shumtë”, shkruan Rama.