Blerta Kllokoqi Rugova, nusja e djalit të Ibrahim Rugovës , ose siç thirret në popull “e reja e Rugovës”, erdhi sot me një rrëfim ndryshe në podkastin “Flasim”, ndërsa shprehu edhe ambicien e saj për t’u marrë me politikë.

“E reja e Rugovës” emërtohej episodi i radhës i podkastit “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, ku Blerta Rugova ndau momente nga jeta e saj, por edhe shenjimin që ka lënë emri i familjes Rugova në këtë rrugëtim jete.

Edhe pse nuk e ka njohur personalisht Presidentin Rugova, pasi ai ishte ndare nga jeta kur ajo u bë pjesë e familjes, Blerta tregon se disa virtyte të tij i sheh të reflektuara te fëmijët e saj.

“Durimi, humori, përulja të gjitha këto elemete që na kanë pëlqyer edhe më parë te presidenti Rugova i shoh te fëmijët e mi. Kjo më heq atë dëshirën që kam pasur gjithmonë të takoj presidentin Rugova”, tha ajo.

Ndërsa artikuloi dëshirën për t’u angazhuar në politikë, Blerta Rugova renditi disa nga prioritetet që mendon se duhet të adresohen në fushën e shëndetësisë, fushë në të cilën ajo është diplomuar.

“Duhet të mos prishim raportet sidomos me miqtë tanë ndërkombëtarë. Zhvillimet e fundit po i shohim me sy shumë kritik, sidomos kritikat që po vijnë nga SHBA. Këto janë disa elemente që duhet t’i shohim. Zgjedhjet janë shumë shpejt kështu që do ta shohim çfarë do të ndodhë”, tha ajo.