Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan do të zhvillojë një vizitë sot në Tiranë. Në agjendë, pas ceremonisë së pritjes në presidencë në orën 11:30, është parashikuar një takim me presidentin Bajram Begaj dhe me kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të mbajë një deklaratë të përbashkët.
Burime për ABC News kanë bërë të ditur se Erdogan do të marrë pjesë personalisht edhe në inagurimin e Xhamisë së Namazgjasë, për të cilën ka patur një kundërshtim për shkak të akuzës së tij për drejtuesit e Komunitetit Mysliman Shqiptar, të cilët Turqia i sheh të lidhur me lëvizjen gyleniste.
Për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e vizitës së Erdogan, policia e kryeqytetit ka marrë disa masa dhe do të bllokojë disa rrugë në orarin e mbërritjes dhe takimeve të tij.
Policia njoftoi drejtuesit e automjeteve që nesër të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar – Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar – Rinas do të jetë i bllokuar nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00.
Po ashtu do të bllokohen dhe rrugë të tjera, konkretisht: Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unaza te Astir – Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit. Po ashtu do te bllokohen Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova”, rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe rruga “Xhorxh Bush”.