Një proces të qetë e ka konsideruar eksperti i kriminalisitkës, Ervin Karamuço, mbërritjen e afrikanëve të parë në kampin e Gjadrit, teksa ka nisur zbatimi i marrëveshjes për emigrantët, mes qeverive shqiptare dhe italiane.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Karamuço u shpreh se policia shqiptare, por edhe pala italiane, janë të përgatitur për çdo lloj skenari që mund të ndodhë në kamp. Ndër të tjera, eksperti Karamuço shtoi se emigrantët do të verifikohen nëse kanë precedentë penalë.
“Një proces i qetë, sipas procedurave. Një proces i cili po monitorohet edhe nga Policia e Shtetit, edhe nga pala italiane. Policia shqiptare ka aktivizuar një njësi të posaçme, ku përfshihen rreth 130 efektivë policie, të cilët janë dislokuar edhe në Portin e Shëngjinit, në qendrën pritëse parësore dhe pastaj në kampin e Gjadrit. Këta do të jenë të rrethimit të jashtëm dhe shoqërimit të të gjithë autokolonave që do vijnë nga porti në drejtim të Gjadrit dhe anasjelltas. Nga ana tjetër, unë shikoj që ka një infrastrukturë deri tani konform të gjitha ligjeve, qoftë shqiptare, qoftë konventave ndërkombëtare që respektojnë të drejtat e njeriut.
Do të jetë qendër penitenciale, sidomos ajo e Gjadrit, por jo me elementë të sigurisë si në burgjet tona, por do jenë si burgje të hapura. Do të jenë aty të izoluar derisa t’i nënshtrohen procedurave. Kjo është procedurë që do të vijojë me planifikim, deri në 3000 persona. Është kapacitet deri diku i menaxhueshëm. Edhe në Itali, ka rënë emigracioni i paligjshëm. Ajo që po vihet re këto ditë, janë lajmet që po qarkullojnë në botën arabe, Afrikë e deri në Azi, ku po bëhet e ditur që këta emigrantë nuk po shkojnë në Itali, por në Shqipëri. Është një nga mënyrat për t’i parandaluar për t’u nisur.
Shqipërinë e shohin si tranzit, do shohim fluks të reduktuar për të shkuar në Itali, jo tek ne. Është procedurë standarde. Nuk shikon vetëm anën shëndetësore, por identifikimit, për të parë nëse ka rekord kriminal apo terrorist. Pasi plotësohet e gjithë dosja, ata mund të rrinë edhe me ditë. Stabilizimi i tyre në kampin e Gjardit, duhet studiuar. Studimi i procedurave të tjera, merr kohë sepse shqyrtohet nga shteti italian, jo nga shteti shqiptar. Janë vendet e sigurta, janë 56 vende që OKB i quan vende të saigurta, ku nuk mund të marrësh azil. Nëse vijnë nga Bangladeshi, nuk njohim ndonjë konflikt, nga India po ashtu. E kanë të pamundur të përfitojnë azil. Kjo është sfidë që ata e kanë me veten. Italianët janë të përgatitur për çdo lloj skenari. Po ashtu, kemi edhe njësitë tona policore, edhe ato janë të përgatitura”, theksoi ai.