Laert Haxhiu, i dënuar përjetë për masakrën e Lushnjës të nëntorit 2017, ku u vranë dy vetë e u plagosën dy të tjerë, mund të përballet në Gjykatën e Apelit të Posaçëm me shënjestrën e atentatit, Xhulio Shkurtin. Gjykata e Apelit ka njoftuar përmes shpalljes publike Shkurtin, nipin e ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare, të jetë pjesëmarrës në seancën e 23 tetorit ndaj Haxhiut. Në këtë proces, Shkurti konsiderohet si palë e dëmtuar për shkak se një akuzat që rëndon mbi Haxhiun është ajo “vrasja me paramendim e kryer për hakmarrje”, mbetur në tentativë ndaj tij.
Ndërkohë në vitin 2016Haxhiu e ka plagosur Xhulio Shkurtin, vepër për të cilën është dënuar me 18 vite burg. Sipas SPAK, grupi kriminal i dyshuar si i drejtuar nga Laert Haxhiu u krijua për eliminimin e Xhulio Shkurtit, për shkak të armiqësisë së Haxhiut me Aldo Baren. Ndonëse ishte “shënjestër” Shkurti nuk u lëndua në atentatin e nëntorit 2017, pasi vetëm pak çaste para se drejt grupit të miqve të tij të qëllohej me breshëri, ishte futur në një dyqan aty pranë. Plumbat i morën jetën Zamir Latifit e Jurgen Hoxhës, si edhe plagosën Bujar Turkun dhe Marius Xhepexhiun.
Në Shkallën e Parë të Gjykatës së Posaçme, Laert Haxhiu, u dënua me burg përjetë, në mungesë. Me herët ai ishte arrestuar në Greqi, nga ku u ekstradua më 3 korrik, ndërsa ishte shpallur në kërkim nga SPAK edhe si drejtuesi një grupi kriminal të akuzuar për disa vrasje e ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë.