Përpara se të futej në sallën e Kuvendit Monika Kryemadhi u ndal për një deklaratë të shkurtër për gazetarët, ku u kërkoi atyre që të merren seriozisht me kryeministrin Edi Rama, pasi siç tha ajo është peshku i madh në telefonin e saj.
“Merreni seriozisht edhe Ramën. A ka deklaruar kurimin e djalit të vet në Amerikë? Kush ia ka paguar dhe sa kushtuar? Merreni seriozisht. Peshku i madh është Edi Rama në telefonin tim. E kam telefonin l cloud”, u shpreh Kryemadhi.
Deputetja e PL-së iu përgjigj edhe Sali Berishës, që mbrëmjen e 25 tetorit tha se ajo i kishte dorëzuar 460 mijë euro Edi Ramës.
Sipas Kryemadhit, Berishën e kanë ngatërruar, ndërsa akuzoi ish-ambasadoren e BE-së se kishte marrë para nga Rama për të blerë deputetë e opozitës.
“Mos e ka fjalën për buxhetin që Romana Vlahutin kishte marrë nga Rama për të blerë deputetët e opozitës për të votuar reformën në drejtësi”.
Tri ditë më parë Sali Berisha i bëri thirrje Monika Kryemadhi që të sqarojë një shumë parash që i ka dorëzuar Edi Ramës.
“I bëj thirrje zonjës Kryemadhi, e cila deklaroi se Edi Rama ka urdhëruar Dumanin të fshijë të gjithë komunikimet e saj me Edi Ramën, t’ju bëjë të ditur shqiptarëve, të informojë shqiptarët për “peshkun e madh”, të informojë shqiptarët me ç’rast i dorëzove Edi Ramës 460 mijë euro. Të informojë shqiptarët gjithçka di për këtë kryehajdut të të gjitha kohërave”.
Por, sot në një konferencë me gazetarët, Berisha u pyet nëse me këtë thirrje kërkonte që Kryemadhi të bëhej bashkëpunëtore e drejtësisë. Në përgjigjen e tij, kreu i Partisë Demokratike krahasoi Altin Dumanin me të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani.
Sipas Berishës, kthimi i Kryemadhit në një ‘pentito’ do të ishte njësoj sikur të rrëfehej përpara vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani.
“Tani, do na falni pak, por unë përgjigje nuk mund të jepja se sa të krahasoja Altinin me Nuredinin. Çka nënkuptoja se për mua ishte njëlloj si të më thoshin se a duhet të bëhet e penduar Monika Kryemadhi tek Nuredin Dumani. Këtë nuk mund të ma thuash dhe unë nuk mund t’ia them kujt këtë”, tha Berisha.