“Kushdo që njeh historinë, historinë e feve, politikën dhe diplomacinë, do ta kuptojë lehtësisht lidhjen e çështjes me Jerusalemin, Xhaminë Al-Aksa dhe lakminë për tokën e premtuar. Ne e dimë shumë mirë se cila është toka e premtuar. Ata fjalë për fjalë po hyjnë në një garë për të sfiduar Turqinë në një distancë prej 30 kilometrash.”
Kjo ishte një pjesë e fjalimit të Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në eventin “TEKNOFEST 2024” që po zhvillohet në Adana, përmes së cilës donte të shpjegonte sipas tij qëllimet e vërteta të luftës që Izraeli i ka shpallur Libanit, raporton A2.
Erdogan u shpreh më tej se Ankaraja i ka të qarta qëllimet e administratës izraelite për të ndarë hartën e Lindjes së Mesme.
Rajoni ynë po përjeton ditët më të dhimbshme të viteve të fundit. Tensionet, konfliktet dhe luftërat po shkatërrojnë gjeografinë tonë nga brenda. Si komb ne po i ndjekim me zemër të thyer masakrat në Gaza dhe Liban. Izraeli fillimisht pushtoi Gazën me pretekstin e Hamasit. Tani po derdh gjak në Liban me pretekstin e Hezbollahut. Pasi martirizuan Ismail Haniye, ata vranë liderin e Hezbollahut, Hasan Nasrallah. Sa herë që afrohet një armëpushim, paqe dhe qetësi në rajon, qeveria izraelite kryen një provokim që do ta hedhë në erë këtë proces. Ata po përdorin çdo mjet për të përhapur luftën në të gjithë rajonin dhe për të mbytur atë në gjak e lot”, u shpreh lideri turk, përcjell A2.
Por Turqia sipas Erdohanit do të luftojë për t’u mbrojtur vetë dhe njëherësh për të mos lejuar copëzimin e rajonit.