Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka bërë “parashikimin” se kush do të jetë personazhi i radhës nga politika që do të përfundojë në pranga prej Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Këlliçi, i ftuar në emisionin “Now” diskutoi mbi arrestimet e fundit të figurave të rëndësishme të opozitës. Sipas tij, arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta është një sinjal për vetë atë, por edhe për kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhin.
“Ky show është një mesazh i qartë jo vetëm për Ilir Metën, por për këdo opozitar. Është një mesazh edhe për mua që denoncoj përditë aferat e Bashkisë Tiranë, është mesazh edhe për Gaz Bardhin, edhe për çdo deputet të Partisë Demokratike që godet mazhorancën. Është dhe për Metën, dhe për Berishën, dhe për Salianjin që sot është në burg. Tregon se godet këdo që denoncon. Thënë këtë nëse do kishim një arrestim normal të zotit Meta, do ishte në turpin e tij që nëse këto reagime do ti kishte bërë pa arsye,”- tha Këlliçi.
Të njëjtin “parashikim” ka bërë edhe vetë kryedemokrati Sali Berisha. Në një nga daljet e tij në dritaren e banesës së tij, Berisha u shpreh i sigurtë që Bardhin e pret i njëjti fat si Ervin Salianjin. Pra burgimi! Madje i ka caktuar edhe afatin. Sipas Berishës, demokrati do të arrestohet brenda tre muajsh, shkak për arrestimin e Bardhit do të jetë akuza që ky i fundit ka ngritur ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama