LUKSEMBURG- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbërritur në Qendrën Europiane të Konventave për konferencën Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian.
Në një prononcim për mediat, shefi i qeverisë shtoi se do punojë për integrimin e Shqipërisë në BE, brenda vitit 2030.
“Kemi ambicie të përfundojmë para kohës që na është lënë. Do ta bëjmë gati Shqipërinë për integrimin në BE brenda vitit 2030”, tha Rama.
Më tej, kryeministri Rama tregoi arsyet e forta se pse Shqipëria synon të jetë pjesë e familjes europiane. Ai theksoi se Ballkani Perëndimor është i nevojshëm për të patur një Evropë të fortë.
“Ne jemi shumë, shumë të përkushtuar ndaj BE-së që prej ditësh së parë që i ikëm ferrit të diktaturës, duke qenë vendi më i izoluar komunist në Evropë, Koreja e Veriut e Evropës. Kështu që pavarësisht sesi është situata këtu apo niveleve të ndryshme të vëmendjes apo skepticizmit ndaj zgjerimit ne nuk kemi hequr kurrë dorë sepse për ne, Bashkimin Evropian dhe Evropa, janë i vetmi vend ku duam të jemi, i vetmi vend që duam t’u lëmë brezave të ardhshme, me sigurinë që i lëmë në të vetmen hapësirë ku liritë , të drejtat, sundimi i ligjit dhe demokracia mund të garantohen”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.
Shqipëria do të çelë këtë të martë negociatat me Bashkimin Europian për kapitujt themelorë.