Deri më 1927 bektashizmi në Shqipëri ka qenë sekt. Atë vit Selia e bektashizmit që ishte në Turqi u mbyll nga reformat e qeverisë turke. Kryeprijësi Niazi Sali Dedej erdhi në Shqipëri dhe ngriti në Tiranë Kryegjyshatën Botërore.
Më 5 Maj 1945 u zhvillua në Tiranë Kongresi IV i bektashinjve të Shqipërisë, ku si përfundim u krijua “Komuniteti Bektashian Shqiptar”. Inisiatorë ishin klerikët e lidhur me regjimin komunist, madje edhe kongresin e bektashinjve e drejtoi njëri prej tyre, baba Mustafa Xhani, i njohur gjerësisht si Baba Faja.
Që në 1944, Baba Faja propagandonte dhe mbronte me këmbëngulje tezën e tij të reformave të bektashizmit, atë të martesës së klerikëve dhe atë të heqjes së petkut fetar. Kundërshtari më i vendosur i tyre ishte Abaz Dedej, i zgjedhur në shtator 1945 si kryegjyshi botëror I bektashinjve.
Pas muajsh të tërë propaganda në radhët e klerikëve Baba Faja ia doli të bindte Baba Fejzon i cili pranoi tezat e tij.
Këshilli i Përgjithshëm i Komuniteetit Bektashian, në mbledhjen e 5 janarit 1947 mori vendim për t’i dhënë dënimin moral disa baballarëve “që ishin arrestuar si elementë reaksionarë dhe që shkonin kundër interesave të Popullit e të Pushtetit të tij”.
Përpos kësaj pike do të propozohej në lidhje me reformat, heqjen e petkut fetar dhe martesa e klerikëve.
Abaz Dedej në fillim nuk deshi të pranonte zhvillimin e një mbledhje të jashtëzakonshme, por këmbëngulja e Baba Fajës, Baba Fejzos dhe mbështetësve të regjimit e detyroi.
Mbledhja vendosi që baballarët e burgosur si tradhëtarë tu hiqeshin petkat dhe ushtrimet fetare përgjithmonë, duke ngarkuar gjyshatat e zonave ku ndodheshin burgjet e ndryshme për ekzekutimin e këtij vendimi.