Ilir Rusi është zgjedhur në krye të Këshillit të Lartë Gjyqësor me anë të vendit të marrë në mbledhjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Zyra e shtypit të KLGJ-së bën të ditur se sot është përmbyllur mandati i Naureda Llagamit dhe postin e kryetarit e ka marrë Rusi.

Më parë, Rusi ka qenë zv.kryetar i KLGJ-së. Me përfundimin e mandatit si anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Llagami është zëvendësuar nga Violanda Theodhori e cila u zgjodh si anëtare nga Kuvendi i Shqipërisë, si përfaqësuese e shoqërisë civile.

Njoftimi:

Sot, në datën 22.10.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Këshilli deklaroi mbarimin e mandatit dhe përfundimin e qëndrimit në detyrë të anëtares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami dhe zëvendësimin e saj me anëtaren më të re, znj. Violanda Theodhori, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë si përfaqësuese e shoqërisë civile.

Duke qenë se znj. Llagami mbante funksionin e kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, me përfundimin e mandatit të saj, Këshilli në përputhje me parashikimet ligjore dhe nënligjore në fuqi vendosi zgjedhjen e z. Ilir Rusi, Kryetar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Këshilli vendosi zgjedhjen me shumicë votash të znj. Yllka Rupa, në funksionin e zëvendëskryetares të Këshillit të Lartë Gjyqësor.