Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani tha sot se, shpjegimi i skemës së pensioneve dhe funksionimi i saj, është në fokus të takimeve që ka ndërmarrë qeveria me qytetarët gjatë javës së kaluar dhe në vijim.

Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua në Fier, Manjani tha se, sfida më e madhe sot me skemën e pensioneve është shtimi i pensioneve të reja, që në vit arrijnë nga 15 deri në 18 mijë më shumë. Ndërsa vlerësoi se një nga mënyrat për rritjen e pensioneve është rritja e pagave.

Ajo tha se, “në thelb të gjithë skemës së pensioneve qëndron parimi kontributiv dhe kjo është arritja më e madhe që u bë me reformën e vitit 2014, ku për shkak të tavaneve që përcaktonte sistemi i kaluar i pensioneve nuk e reflektonte parimin kontributiv. Që do të thotë që ajo që ju keni kontribuar gjatë gjithë jetës me punën tuaj, realisht duhet të reflektohet në moshën e tretë”.

Ky parim kryesor, vijoi ajo, lidhet me numrin e viteve që keni kontribuar kundrejt skemës, por lidhet edhe me masën e këtyre kontributeve.

Sipas saj, një pensionit që ka 15 vite minimale të kontributeve, është përfitues i një pensioni të pjesshëm minimal, ndërkohë që për të përfituar një pension të plotë, një individ duhet të ketë 38 vite kontribute. Nga ana tjetër masa e pensionit lidhet me pagën. Pra nëse këto kontribute janë paguar për një pagë minimale, pa dyshim që bën diferencë për kontributet e derdhura për një pagë maksimale.

Manjani shpjegoi se, pensionet suplementare lidhen me natyrën e punës.

“Në qarkun e Fierit përfitojnë shumë qytetarë që kanë punuar minatorë, metalurgë apo naftëtarë”, tha ajo.

Manjani bëri të ditur se në vendin tonë janë 7 500 pensionistë.

“Sfida më e madhe që rëndon nga ana financiare dhe skemën e sigurimeve shoqërore, lidhet me faktin se çdo vit skemës i shtohen nga 15 mijë deri në 18 mijë pensione të reja. Pra, nëse në qarkun e Fierit aktualisht janë rreth 80 mijë pensionistë, parashikohet që në fund të vitit 2024, vetëm në këtë qark, numri i pensionistëve të rritet me 2 mijë. Pra nga njëra anë kemi të ardhurat, por nga ana tjetër kemi rritjen e shpenzimeve, të cilat për shkak të rritjes së moshës mesatare të popullsisë, sigurisht që rëndon skemën”, theksoi ajo.

Manjani vlerësoi rritjen e pagave në sistemin e administratës që siç tha ajo, “do të na ndihmojë më vonë që nëpërmjet mbledhjes së të ardhurave më të larta kundrejt skemës dhe më pas të shpërndahen për pensione”.

Ajo tha se për nëndeklarimin e pagave qeveria do të nisë edhe një fushatë të gjerë kundër informalitetit.