SHKODËR- Detaje të reja kanë dalë nga masakra në Dobraç të Shkodrës. Policia ka sjell njoftimin zyrtar për ngjarjen e rëndë që ka tronditur sot Shkodrën. Mësohet se Hamza Lici që mbeti i vrarë ishte në një makinë me Arlind Bushatin, i plagosur nga atentati.
Teksa i kanë qëlluar me armë zjarri, makina e drejtuar nga Lici ka përplasur një motor, në të cilin ndodheshin çifti i të moshuarve Flutura dhe Bashkim Basha. Nga përplasja Flutura Basha ka humbur jetën, ndërkohë që Bashkimi ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Informacion paraprak Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi H. L., dhe është plagosur rëndë shtetasi A. B. Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e rimeve të Rënda Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.