Nga Eduart Zaloshnja
Si ka mundësi që PS-ja ka aktualisht në Qarkun Tiranë pothuaj të njëjtën përqindje votash të banorëve të këtushëm si të para katër vjetëve, pyeti një analist në emisionin RePolitix, kur prezantova rezultatin e një sondazhi që zhvillova për Qarkun Tiranë.
Përgjigjia e kësaj pyetje është thjesht arithmetikore: Për PS-në votojnë sot më pak zgjedhës të këtushëm se para katër vjetësh, por ndërkohë, edhe numri total i atyre që janë gati të votojnë qysh sot për të gjitha partitë më rezultoi në sondazh më i vogël se i atyre që votuan para katër vjetësh.
Për ta ilustruar me një shembull të thjeshtë numerik argumentin e mësipërm, le të supozojmë se një parti merr 50 mijë vota nga 100 mijë gjithsej – përqindja e saj është 50% në këtë rast hipotetik. Dhe në qoftë se në një kohë të mëvonshme, ajo merr 40 mijë vota nga 80 mijë gjithsej, përqindja i mbetet po 50%!
Pikërisht një situatë e ngjashme arithmetike më rezultoi me përqindjen e PS-së. Pavarsisht se numri i votuesve të saj është ulur në krahasim me 2021-shin, përqindja e votave të saj mbetet 48.5% tek votuesit e këtushëm (vetëm 0.2% ndryshim), sepse edhe numri gjithsej i votuesve të vendosur me banim në qark është ulur në krahasim me 2021-shin.
Po situata e PD-së si ka ndryshuar?
Numri i votuesve të saj është ulur edhe më shumë në krahasim me 2021-shin. Si rrjedhojë, përqindja e votave të saj ndër votuesit e këtushëm është ulur nga 39.1% në 33.7%. Kjo edhe pse numri gjithsej i votuesve të vendosur me banim në qark është ulur në krahasim me 2021-shin.
Po situata e partive të reja si duket?
Në vitin 2021 ishin 4 parti të reja në garën e Qarkut Tiranë – Nisma Thurja, Lëvizja për Ndryshim, Lëvizja e Re, dhe Vetëvendosja. Ato morën vetëm 2.04% të votave në qark. Ndërsa tani janë shtuar edhe 10 parti të reja. Në total, partitë e reja më rezultuan sot me 14.2% të votuesve të vendosur me banim në Qarkut Tiranë.