Ish deputeti Halit Valteri, personi që bëri kallëzimin në SPAK ndaj Ilir Metës për çështjen e lobingjeve, tregoi në studion e A2 CNN të gjitha detajet se si nisi kjo histori dhe ku i kishte siguruar provat për këtë çështje, e cila është një prej akuzave që e çoi ish presidentin pas hekurave.
“Ka të bëjë me lobimin në SHBA, ku Meta, Kryemadhi, Vasili kanë bërë fatura fiktive për të paguar 1.2 milionë euro në SHBA, dhe SPAK deri në këto momente ka faktuar rreth 470 mijë dollarë për lobime. LSI, Meta, Kryemadhi kanë përdorur para të vjedhura për të patur mbështetje për programin e tyre në SHBA. Kjo histori nis me Mother Jones, ku flitej për paratë ruse të Bashës, që u mbyll në prokurorinë e Tiranës dhe këta prokurorë janë të shkarkuar. Në ditët në vijim presim të hapet. Në 2022 jam kontaktuar nga Kroner Zeitung pasi vetëm unë kisha një luftë të hapur me ish-presidentin. Kjo gazetë i kushtoi faqen e parë Metës dhe kisha dëshirë të merrja këto informacione. Kam shkëmbyer e-maile me gazetarin që më dha këto dokumente”, tha Valteri.
Ish deputeti vijon me akuzat ndaj ish-kreut të shtetit duke thënë haptazi se Meta ka dalë në përgjimet e Sky ECC si i përfshirë në një vrasje të bujshme në Lezhë.
“Ka kallëzime të tjera ku Ilir Metën e përfshijnë në vrasje sepse kanë dalë në biseda Sky ECC. Dalin përgjime për shuma të mëdha parash që janë marrë për të kryer një vrasje në Lezhë. Dhe gjurmimi i tyre lidhet me një vrasje të bujshme. Meta, i përfshirë drejtpërdrejtë. Ka mbajtur lidhje me krimin e organizuar, ka shantazhuar biznese dhe bashkëpunëtorë të tij ku i linte paratë”, u shpreh Valteri në A2.
Më tej, Valteri lexoi dhe një SMS të sapoardhur në telefonin e tij, ku denoncuesi pretendonte se dinte se ku e fshihte Ilir Meta një pjesë të pasurisë të tij.
“Vetëm para 20 min më ka ardhur një mesazh që më thotë. “Mirëmbrëma, një pjesë e parave të Ilir Metës që i ka vjedhur popullit shqiptar i posedon F.Hysi, momentalisht rezident në Çeki, pronar dyqanesh floriri”. Kështu nis gjithçka pasi njerëz që janë shtypur nga pushteti flasin dhe reagojnë. I them të gjithë shqiptarëve që kanë një dritare dhe do të jem zëri i tyre”, përfundon Valteri.
(A2 Televizion)