Më shumë filtra për dhënien e kredive nga institucionet e mikrokredive. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi të mërkurën ndryshimet në rregullore që lidhet me administrimin e rrezikut të veprimtarisë së këtyre institucioneve ku parashikohen një sërë kufizimesh.
Në rregulloren e re kërkohet një vlerësim më i imtësishëm i aftësisë paguese të qytetarëve.
Drejtori i Departamentit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Deniz Deralla, i ftuar në “Money Report”, u shpreh se institucionet financiare nuk duhet t’u japin hua atyre personave që nuk kanë aftësi paguese apo kanë një historik jo të mirë në raport me kthimin e borxheve.
“Të gjithë individët që nuk kanë mundësi të marrin kredi dhe e bëjnë të pamundur pagesën, duhet te jenë në “black list”, me qëllim që të përjashtohen nga huadhënia ato individë, që janë kreditorët e këqij. Të gjithë këto rregulla përmirësojnë kushtet e kreditimit për konsumatorin”, tha ai.
Ai paralajmëroi se brenda vitit, Banka e Shqipërisë do të miratojë një rregullore të re, e cila synon mbrojtjen e konsumatorit.
“Rregullorja e re që do të miratojmë brenda këtij viti, është tërësisht në mbrojtje të konsumatorit”, shtoi ai.
Më tej Deralla, u shpreh se Banka e Shqipërisë do hartojë dhe një kuadër rekomandues me qëllim që institucionet financiare të përdorin elementet informues në reklamat e tyre.
“Kemi parashikuar një detajim të elementeve të reklamës, për të mos krijuar keqkuptime tek konsumatori. Ato elemente që konsiderohen si të pasaktë ose elementë, të cilët janë të tillë, por që i përkasin një segmenti të caktuar, duhet të bëhet i qartë informacioni”, tha ai.