Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në takimin me strukturat tatimore për prezantimin e planit për luftën ndaj informalitetit u ndal edhe te sektori i ndërtimeve. Rama u shpreh se deklarimet e pagave me 60 mijë lekë të reja, nuk do të pranohen, dhe do t’u kthehen pas si probleme me dokumentacionin, për të vijuar më tej me masa të tjera.
Ai theksoi se ndërtuesit do ta pësojnë si ata që nuk paguan energjinë elektrike. Kryeministri tha se mund ta bëjnë si në vendet nordike e t’i detyrojnë ata të nxjerrin pagat të të gjithëve me ligj, që të gjithë ta shohin sa paguan kë dhe sa. Rama theksoi se kjo është arma e fundit dhe se fillimisht hyn në lojë krimi ekonomik.
“Ndërtuesit do ta pësojnë si ata që nuk paguan energjinë elektrike. Fillimisht do tu kthehet deklarimi pas duke u thënë keni bërë një deklarim në dokumentacion, më pas do të procedohet në masa të tjera. Mund të shkojë deri në kolapsin e kompanisë kështu që merreni seriozisht.
Mund ta bëjmë edhe si vendet nordike e t’i detyrojmë nxjerrjen e pagave të të gjithëve me ligj, që të gjithë ta shohin sa paguan kë dhe sa. Por kjo është arma e fundit. Fillimisht hyn në lojë krimi ekonomik. Nuk janë kërcënime e presione, janë ajo që kemi ndërmend të bëjmë. Mos provokoni shtetin”, tha ai.