Në Arabinë Saudite ka nisur zyrtarisht ndërtimi i kullës Mukaab, një strukturë që pritet të arrijë lartësinë e 400 metrave dhe të konsiderohet ndërtesa më e madhe në botë. Ky projekt po udhëhiqet nga New Murabba Development Company, një kompani ndërtimi e financuar ekskluzivisht nga qeveria saudite. Aktualisht, puna është përfunduar në masën 86% dhe pritet që kulla të përfundojë deri në vitin 2030.
Sipas mediave të huaja, fasada e ndërtesës do të jetë e mbyllur dhe do të përbëhet nga struktura të zbukuruara trekëndore. Mukaab do të përfshijë gjithashtu dy milionë metra katrorë hapësira për dyqane dhe atraksione të tjera kulturore e turistike, së bashku me një park të madh.
Projekti është pjesë e planit strategjik të Arabisë Saudite të njohur si Vizioni 2030, i cili synon të reduktojë varësinë e vendit nga nafta, të diversifikojë ekonominë dhe të zhvillojë sektorë të rinj të shërbimeve publike. Ky plan përfshin investime masive në turizëm, teknologji dhe sektorë të tjerë ekonomikë.
Megjithatë, ky zhvillim i madh nuk ka kaluar pa kritika. Një sondazh i ri ka nxjerrë në dritë se mijëra punëtorë migrantë, të cilët përballen me kushte të rënda pune, po paguajnë një “çmim më të madh” për arritjen e ambicieve të sundimtarit të Mbretërisë, Princit Mohammed bin Salman. Sipas të dhënave të fundit, të paktën 21,000 punëtorë migrantë kanë humbur jetën në kantieret e ndërtimit që nga shpallja e Vizionit 2030, vetëm në tetë vjet. Kjo shifër ka ngjallur shqetësime të mëdha mbi sigurinë në vendet e punës dhe të drejtat e punëtorëve migrantë në Arabinë Saudite.
Ndërkohë që Mukaab po merr formë dhe synon të bëhet një ikonë e re globale, mbetet e paqartë se si do të përmirësohen kushtet për punëtorët që janë në vijën e parë të këtij projekti madhor.