Qeveria ka miratuar rregulloren e përzgjedhjes së kandidatëve për postet më zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit.

Kështu pas zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pritet të çelet gara për postet drejtuese nga ai i zv.Drejtorit të Përgjithshëm te drejtorët e Departamenteve në Policinë e Shtetit, për të vijuar me drejtuesit në nivel qarku dhe shefat e Komisariateve. Pritet që edhe për përzgjedhjen e kandidatëve të ngrihet një Komision, ashtu sikundër ndodhi në rastin e zgjedhjes së Ilir Proda si Drejtor i Përgjithshëm, por me dallimin se në përzgjedhjen e zinxhirit komandues, komisioni do të drejtohet nga një zyrtar i Policisë dhe jo nga përfaqësues i Ministrisë së Brendshme.

Vendimi

MIRATIMIN E RREGULLORES PËR PËRZGJEDHJEN E KANDIDATIT PËR ZËVENDËSDREJTOR TË PËRGJITHSHËM, DREJTOR TË DEPARTAMENTIT, DREJTOR TË DREJTORISË VENDORE DHE SHEF TË KOMISARIATIT NË POLICINË E SHTETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 59, të pikës 5, të nenit 60, të pikës 5, të nenit 61, dhe të pikës 4, të nenit 62, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të Përgjithshëm, drejtor të Departamentit, drejtor të Drejtorisë Vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Në rregulloren e Policisë së Shtetit, miratuar me vendimin nr.750, datë 16.9.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, dispozitat që parashikojnë përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të Përgjithshëm, drejtor të Departamentit, drejtor të Drejtorisë Vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit”, shfuqizohen.

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.