Avokati Spartak Ngjela, teksa foli për 4 vrasjet e 21 janarit, tha se SPAK duhet të hetojë se kush e dha urdhrin kryeministri , Sali Berisha, apo kreu i gardës, Ndrea Prendi veproi me kokën e vet.
Avokati tha për emisionin ‘Studio Live’ në Report TV se ishte Berisha ai që shkatërroi serverët e kamerave, por sipas tij regjistrimet janë të depozituara në Kaliforni dhe nuk janë fshirë.
“Nuk është zbardhur se kush e ka dhënë urdhrin. Kreu i gardës ka qenë te zyra e kryeministrit. Sa i përket dënimit që është dhënë dhe akuzat janë qesharake. Po e kanë hetuar gjë e madhe, ka dhënë shteti urdhër, apo e ka bërë me kokën e vet komandanti i gardës.
Kjo është një pyetje që e ka përgjigjen brenda, por a janë provat apo jo? Ish-kryeministri shkatërroi gjithë sistemin e brendshëm të kabinetit me regjistrime. Regjistrimet janë të depozituara në Kaliforni, nuk fshihen”, tha Ngjela.
Sa i takon protestës, Ngjela thotë se PD nuk ka asnjë vlerë politike.
“Të çoroditur, nuk kanë vlerë politike, asgjë nuk bëjnë dot. Vetëm humbasin personalitetin para zgjedhjeve të reja. Mosbindja civile është nocion shtetëror.
Shteti ka ligje, ti thua unë nuk respektoj ligjin, do ikësh në burg. Shteti ka kushtetutën e vet, legjislacionin e vet. Mosbindje civile do të thotë që unë nuk pyes për ligjin” shtoi Ngjela.