Ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Denion Meidani, organizoi një takim të rëndësishëm me zyrtarët e lartë shqiptarë që mbajnë poste të rëndësishme në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Ky takim, i mbajtur në kuadër të procesit të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes rajonale për këtë proces historik.
Në këtë takim morën pjesë figura të shquara politike, si Zv. Kryeministri i Parë Izet Mexhiti, Zv. Kryeministri Arben Fetai, Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani, Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi, Kryetari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi, Zv. Ministri i Bujqësisë Flakron Bexheti dhe Zv. Sekretari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Hasim Murtezani.
Në fjalën e tij, ambasadori Meidani theksoi rëndësinë e këtij momenti historik, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin që ndan të njëjtën aspiratë për një të ardhme evropiane. “Mbështetja nga liderët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është një shembull i qartë i bashkëpunimit rajonal dhe i përpjekjeve të përbashkëta për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të vendeve tona”, u shpreh Meidani.
Takimi shërbeu si një platformë për të diskutuar më tej për sfidat dhe mundësitë që paraqet ky proces për rajonin, duke theksuar se bashkëpunimi i ngushtë midis vendeve të Ballkanit është kyç për përparimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian. Liderët shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut shprehën urimet e tyre më të përzemërta për progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave dhe konfirmuan gatishmërinë për të mbështetur këtë rrugë drejt integrimit evropian.