Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, vendi i të cilit e ka përsipër kryesimin gjashtëmujor të BE-së, ka folur për procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, në seancën plenare të 9 tetorit të Parlamentit Evropian.
Orban kritikoi BE-në se nuk po i mban premtimet që ua kishte dhënë vendeve të këtij rajoni para 20 vjetëve, duke theksuar rastin e Serbisë.
“Duhet të fokusohemi sidomos në Serbinë. Pa Serbinë, ne nuk mund ta stabilizojmë Ballkanin derisa Serbia të mos jetë vend anëtar i Bashkimit Evropian. Ballkani mbetet një rajon jostabil”, ka thënë Orban.
Serbia kishte aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2009, ndërsa statusin e vendit kandidat e mori në vitin 2012, para se të fillonte negociatat në vitin 2014. Edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë filluar negociatat për anëtarësim, ndërsa Bosnje e Hercegovina mori statusin e vendit kandidat në vitin 2022.
Kosova ende nuk ka statusin e vendit kandidat, ndërsa aplikoi për anëtarësim në fund të vitit 2022.
Gjatë fjalimit të tij, Orban shtoi se edhe pse disa vende kandidate i kanë përmbushur obligimet, ato nuk kanë lëvizur në procesin e negociatave për anëtarësim.
“Të rikujtojmë se para 20 vjetëve, BE-ja u kishte premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor perspektivën e anëtarësimit në BE. Presidenca hungareze është e mendimit se ka ardhur koha ta përmbushim këtë premtim”, ka thënë Orban, i cili paralajmëroi zhvillimin e një samiti me Ballkanin Perëndimor.
Edhe pse presidenca hungareze e BE-së tashmë është në gjysmën e saj – pasi përfundon në fund të dhjetorit – Orbani e mbajti tani fjalimin e zakonshëm ku shefi i qeverisë së vendit kryesues tregon prioritetet e presidencës së saj. Mbajtja e këtij fjalimi ishte shtyrë dy herë.
Orban gjithashtu bëri thirrje për “ndryshim” në Bashkimin Evropian, në fjalimin e shoqëruar me protesta për prapambetje demokratike në Hungari.
“BE-ja duhet të ndryshojë, dhe do të doja t’ju bindja për këtë sot”, tha kryeministri i ekstremit të djathtë, në Strazburg.