Kryeministri Edi Rama, në një takim që po zhvillon me kryetarët e Bashkive, ka prezantuar edhe “Paketën e maleve”, një program në mbështetje të turizmit malor.
Ai u shpreh se do të ketë mbështetje financiare për ata që rikontruktojnë banesat e tyre dhe i kthejnë në sipërmarrje biznesi.
Ndihma që do të vijë nga ky program, sipas Ramës do të jetë i konsiderueshëm, ndërsa shtoi se është puna e kryebashkiakëve që të bindin të kthehen në zonat e tyre, ata që “e kanë me dy mendje”.
“Shumë shpejt, besoj gjatë këtij muaji do të prezantojmë atë që e kemi quajtur “Paketa e maleve”, programin i ri për të mbështetur ata që janë jashtë dhe që duan ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre për t’i kthyer në sipërmarrje biznesi turistik. Pra për ata që janë në emigracion apo ata që janë në Tiranë dhe kanë një pasuri atje.
Paketë pozitive sepse kemi punuar gjatë që të mos jetë një gjë pak, por është goxha domethënëse. Paketë që duhet ta përdorni ju, në kuptimin që duhet ta shfrytëzoni për të inkurajuar e për t’i dhënë më shumë shtysë atyre që e kanë me dy mendje”, u shpreh Rama.