Nga Mero Baze/
Shqipëria pas tre ditësh çel kapitullin e parë të negociatave me BE dhe Hungaria është kryesuesja e radhës e BE.
Raportet shtetërore mes dy vendeve për fat janë të mira dhe kryeministri më pro Soros në Evropë Edi Rama, për fat ka raporte të mira me kryeministrin më anti Soros në Evropë. Sorosi nuk i ka penguar për asgjë.
Për Edi Ramën ai nuk është problem, ndërsa për Orban është fat, se i ka prodhuar atij ideologjinë e një armiku të dobishëm për pushtetin e tij. Suksesin ideologjik që Orban ka arritur duke shpikur një armik kombëtar, janë përpjekur ta përdorim shumë parti të tjera, kryesisht në Evropën Juglindore, por pa ndonjë sukses të madh.
Vonë janë kujtuar dhe të djathtët tanë pas një bashkëpunimi 30 vjeçar me Sorosin. Sidoqoftë tani PD e ka armik zyrtar. Dhe kjo është një nga arsyet përse Berisha e respekton Orbanin. Madje ai është i vetmi dhe që nuk e ka refuzuar pas shpalljes “non grata”.
I vetmi që po më pëlqen me këtë politikën e pavarur brenda PD është Gazment Bardhi. Ai sulmoi sot Edi Ramën duke e akuzuar për raportet e mira me Orbanin dhe duke theksuar se ai nuk mund të jetë model për Shqipërinë. Është një tezë e guximshme për një që aspiron të jetë në krye të PD së Berishës. Qoftë dhe pas Flamurit. Refuzimi i modelit të Orbanit nga PD është vërtet lajm i rëndësishëm jo për Orbanin, por për Berishën dhe PD. Sado që ka pranuar të bashkëjetojnë në diversitet, kjo është më shumë. Është bashkëjetesë në konfiktualitet, pasi janë qëndrime diametralisht të kundërta. Pra PD zyrtare ka armik Sorosin dhe mik Orbanin. Gazment Bardhi thotë nuk kemi model Orabanin, i cili të vetmin model politik që ka prodhuar është modeli anti Soros.
Kjo është vërtet e guximshme dhe lajm i rëndësishëm, sikur Bardhi ta dijë çfarë ka thënë. Nëse është nxituar mund të bëjë autokritikë. Nëse e ka thënë me vetëdije, meriton duartrokitje nga ne dhe shpulla nga Berisha. Se PD duhet të zgjedhë mes Orbanit dhe Ramës, kë ka aleat. Ngjajnë si fitues, por nuk janë njësoj.