Nga Klevis Bakillari/
PD identifikohet me rebelimin e rinisë e me themelimin e lirisë demokratike në Shqipëri. Për këtë u krijua. Vazhdimi është një histori që duhej të shkruhej ndryshe! Fatalizëm në fenomenologjinë politike të PD është venitja e dy cilësive të mësipërme. Zhveshja nga keto dy cilësi dhe mbajtja veshur e palltos së vjetëruar politike , e ka bllokuar PD në një konflikt frontal, gjithëpërfshirës, total, me PS. Konflikti i përflaktë fakultativ sëbashku me bashkëautorësinë e vendosjes së ”regullave të lojës” si psh.Kodi Zgjedhor, s’e bën miqësor ambientin opozitar për shtimin e forcave të reja kundër PS.
Zgjerimi artificial i rrezes së konfliktit
me PS dhe rezonanca e gjerë mediatike është një strategji për të mbajtur larg çdo faktor të ri që mund të marrë protagonizëm. Strategjia e intimidimit dhe uzurpimi i lirive të tjetrit janë dy shpata që kanë ndërprerë frymë të reja politike në Shqipëri.
Por nëse bashkëjetesa 30-vjeçare e PD me PS ka sjellë kolaps thuajse fatal tek demokratët, përse s’ka refleksion?! Kur demokratët reflektojnë ,fyhen, kur demoktratët flasin, ua kyçin gojën me frikë, kur demokratët mendojnë, përbuzen dhe kur demokratët veprojnë drejtë, i përzënë. Një PD që ka humbur shumë lidhje kapilare në çdo bashki të vendit dhe një PD që pret me sytë nga qielli , meriton të ndalet këtu. Keqkuptimi se Dielli i PD lind në atë penxhere, është jo vetëm mashtrim por dhe një eklips mbi vetë PD dhe terrenin opozitar shqiptar.
Dhe kjo strategji e limituar në zotërimin e opozitës, i ka dhënë PD një autonomi okupuese, tërësisht të pamerituar. Kjo gjëndje të bën të kuptosh se ata që duhen mundur në momentin më të parë, janë vetë demokratët regresivë. Ky grup që ka fikur vullnetet e rinisë dhe thyer themelet e lirisë në parti.
Konflikti i forte dhe i izoluar PD-PS, le t’i shërbejë qytetarëve për të parë kthjellët, krijuar alternativa të tjera, përtej tymit dhe hirit të PD.
Të rrëzosh një qeveri të pasuruar, nuk është më e ndryshme sesa të rrëzosh një opozitë të pasur.
Prandaj, më mirë një opozitë të re sot sesa një qeveri mot.