Nga Klevis Hoxhaj/
Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, protesta e një force opozitare do të zhvendoset në një adresë evropiane.
Jo të ambasadave apo organizatave të huaja. Pikërisht të mërkurën e 23 tetorit do të shohim (rreth 30) deputetë të Partisë Demokratike në Strasburg, në selinë e Parlamentit Evropian.
Këtë e konfirmuan vetë demokratët nga radhët e tyre, përmes deklarimeve për shtyp ditët e fundit.
“Në kontaktet që kam pasur, kam vënë re që ka terr informativ në Parlamentin Evropian për zhvillimet politike në Shqipëri dhe zhvillimeve në opozitë. Kam propozuar për të udhëtuar drejt Strasburgut ku mblidhet Parlamenti Evropian. Ne atje kemi konfirmuar disa takime me eurodeputetë dhe funksionarë të lartë të PE-së”, deklaronte ligjvënësi demokrat Agron Gjekmarkaj për “Top Channel”.
Për zyrtarët e Parlamentit Evropian, edhe pse nuk ka asgjë të shpallur institucionalisht, disa politikanë shqiptarë kanë kontaktuar drejtpërdrejt disa eurodeputetë.
“Nuk ka asgjë të shpallur institucionalisht. Kam dëgjuar se disa politikanë shqiptarë kanë kontaktuar drejtpërdrejt disa eurodeputetë dhe do të ketë një takim ose disa takime”.
Kështu bëri të ditur për Albanian Post, zyrtarja e shtypit për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian (AFET), Snjezana Kobescak.
Sipas saj, protesta opozitare në PE “nuk është asgjë e pazakontë”, pasi eurodeputetët “janë të lumtur të flasin dhe të mësojnë më shumë mbi vendet për të cilat mund të jenë në krye”.
“Edhe për protestat para Parlamentit nuk është diçka e pazakontë. Përderisa grupet kanë shpallur protestën dhe kanë marrë leje për të”, shtoi zyrtarja evropiane.
Madje për këtë të fundit, Kobescak sqaroi se nuk e prek Parlamentin, por është në kompetencë të qytetit të Strasburgut.
Për protestën opozitare në dyert e PE-së, i pari që u prononcua publikisht ishte drejtuesi politik i demokratëve në qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi.
“Hapi jonë i radhës është radikalizimi i mëtejshëm i protestave, përballja pa asnjë limit me këtë mazhorancë dhe thirrja e protestës së radhës që për pak ditë do të njoftohet dhe pa diskutim po diskutohet që mund të zhvendoset dhe para Parlamentit Evropian, unë jam pa diskutim pro kësaj ideje”, theksonte më herët përfaqësuesi demokrat për transmetuesin “Klan News”.
Gjekmarkaj zbuloi sakaq se eurodeputetët do përditësohen me atë se “çfarë ndodh në Shqipëri, presionin ndaj opozitës, konkretisht arrestimin e Berishës, Salianjit apo pasojat juridike që bien mbi liderët e tjerë të opozitës si Ilir Meta dhe Fatmir Mediu”.
Nga ana tjetër, deputetja demokrate Jorida Tabaku shtoi se kjo protestë do të ketë karakter “informues” lidhur me situatën në Kuvendin e Shqipërisë dhe kauzat opozitare.
“Grupi Parlamentar i PD-së është duke ngritur shqetësimet që po ngre edhe këtu në Tiranë edhe me partnerët ndërkombëtarë dhe është një fushatë ndërgjegjësimi që do të vijojë edhe me kolegë të Parlamentit Evropian. Do të jetë informim për atë që po ndodh në Parlamentin e Shqipërisë dhe cilat janë kauzat kryesore që ka opozita”, pohoi Tabaku për transmetuesin “Report Tv”.
Agjenda e demokratëve është e ndarë në dy pjesë, një grup deputetësh kanë mision ndërgjegjësimin e zyrtarëve të Parlamentit Evropian, ndërsa të tjerë do protestojnë jashtë dyerve të institucionit evropian.
Në mesditën e 23 tetorit, eurodeputetët pritet të zhvillojnë një votim për Buxhetin e përgjithshëm të Bashkimit Evropian për vitin financiar 2025, referuar agjendës zyrtare të Parlamentit Evropian.
Dita do të vijojë me debate të ndryshme për deklaratat e Komisionit Evropian, të cilat janë në rendin e ditës.
Në të njëjtën ditë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të nisë një tur vizitash në Ballkanin Perëndimor, ku ndalesa e parë do të jetë pikërisht Shqipëria.