Ka përfunduar puna për qendrat e emigrantëve në Shqipëri në Gjadër dhe Shëngjin.
Lajmi bëhet i ditur nga media italiane TGCOM. Qendra e Gjadrit është dorëzuar dy ditë më parë, të mërkurën, për testim.
Brenda një jave ambientet do të hapen për të akomoduar personat e parë që do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare.
Kampi në Gjadër, parashikohet të ketë tre dhoma për vizita ambulatore, dy dhoma me tre shtretër, një sallë operacioni, një laborator analizash, një dhomë me instrumente për radiografi dhe ekografi, një dhomë për vizita psikologjike dhe psikiatrike.
Një ekip mjekësh duhet të punojnë brenda kësaj strukture 24 orë në ditë: një mjek i specializuar në anestezi dhe reanimacion, një mjek i specializuar në kirurgjinë e përgjithshme, një mjek i specializuar në ortopedi me aftësi kirurgjikale, një personel mjekësor i specializuar në psikiatri, një infermiere instrumentale, një punonjës social, një teknik laboratori, një teknik radiologjie dhe një punonjës shëndetësor i specializuar në radiologji.