Ashtu siç e kishim menduar, Përmeti nuk na zhgënjeu këtë fundtetori. Qyteti i trëndafilave dhe pastërtisë idilike, mikpriste me qetësinë e tij elegante, turistët e shumtë që kishin zgjedhur të kalonin fundjavën. Për kuriozitet hodhëm një sy në “Booking”, por e vështirë të gjeje dhoma të lira. Të paktën hotelet kryesore ishin “sold out”.

Disa syresh vijnë thjesht dhe vetëm për ushqimin. Ja pse restorantet ishin plot dhe vetë ne mezi ia dolëm të ruajmë “qetësinë” përpara aq shumë tundimeve gastronomike.

Të tjerë e mbajnë frymën tek llixhat, nami i të cilave ka shkuar që nga Evropa e Veriut e deri në Azinë e Largët. Vozitësit e kajakut, duan adrenalinën e lundrimit në Vjosë. Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa rrjedh e pandikuar e në mënyrë natyrale, por bukuria e saj mbeten kanionet, me ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime gati surreale. Një lumë i përmendur në tekstet e Antikitetit Grek, e po ashtu në Periudhën Ilire. I fundit lumë i egër në Europë.

Sapo kalon urën e Dragotit nis e mendon si poete këtyre anëve. Vjeshta ka nisur ta hedhë magjinë kudo përreth. E pozicionuar mbi Vjosë, kjo urë mund të jetë një nga më të bukurat në Shqipëri.

Po ashtu një pikë referimi e vyer në historinë e inxhinierisë dhe arkitekturës shqiptare, pasi është ura e vetme që lidh Përmetin dhe Juglindjen e Shqipërisë me pjesën tjetër të vendit.

Ka një strukturë shumë të veçantë dhe është e varur me kapriata metalike në formë harku.

Historiku i saj daton në vitin 1936, atëherë kur u ndërtua nga firma xhenoveze ANASALDO, me fondet e qeverisë shqiptare. Përveç rëndësisë inxhinierike, Ura e Dragotit ka rëndësi kulturore. Ja pse është shpallur Monument Kulture i Kategorisë II. Ura mbetet një teknologji e rrallë inxhinierike që i ka rezistuar në mënyrë fantastike kohës.

Rrugës njerëz të thjeshtë e punëtorë, që e kanë të tyren një ëmbëlsi të qelibartë, pikërisht ajo që na mungon neve që vijmë nga jeta e trazuar dhe e sertë e kryeqytetit.

Përmeti të përfshin fare thjesht në vorbullën e tij të paqtë.

Guri i qytetit

Për Edith Durham ishte “një nga vendet më të bukura në botë!”. Gjeologët thonë se është shkëputur shkëmbi nga mali i Dhëmbelit. Por legjenda ka tjetër qasje: Gur perëndie, thotë legjenda. Ka ardhur si dhuratë nga qielli, për t’i dhënë edhe emrin qytetit.

“Kryezoti i krahinës Premti, që i dha emrin qytetit, kishte ndërtuar mbi Gurin e Qytetit një kala. Sot kalaja është rrafshuar. Kanë mbetur muret, dëshmi e legjendës. Ishte fundi i shekullit XIV. Ushtria e sulltan Mehmetit, pushtoi Janinën. Pas Janinës i erdhi radha Përmetit. Premti kishte vdekur dhe kryezot i qytetit ishte nipi i tij, Gjergji, i cili kishte një vajzë, Diestrën me foshnjë në gji. Një natë turqit mbërritën në qytet. Kryezoti ishte jashtë tij. Në kështjellë ishte vetëm vajza. Turqit kërkuan çelësat e fortesës dhe dorëzimin e vajzës. Diestra mori në dorë djepin me djalin dhe u hodh nga maja e shkëmbit. Në rrëzë të Gurit të Qytetit, gjendet një gur i lëmuar ku u përplas Diestra. Mbi gur disa shenja: Dora e foshnjës ose vijat e djepit”. Këtë thotë legjenda.

Muzg

Në qytet muzgu bie ngadalë, e ndërsa nisin të ndizen dritat në shëtitoren e bukur, të parët që dalin për shëtitje janë gjyshërit dhe gjyshet. Bisedojnë e qeshin hera-herës duke qortuar nipërit çapkënë.

Ajri i mrekullueshëm i pishave është shoqëruesi më racional i të gjithë shëtitjes. Nginjesh me pozitivitet këtu.

Bënja

Pas një mëngjesi “grykës” prej të cilit nuk mbetet asnjë thërrime mbi tavolinë, marrim rrugën për në Bënjë.

Të njohura që në Antikitet, Ujërat termale të Bënjës, janë burime të ngrohta natyrale sulfurore që dalin nga çarje të thella tektonike. Të tërë i njohin 6 vaskat e famshme këtu: vaska e lëkurës, vaska e stomakut, vaska e zemrës, vaska e veshkave dhe vaska e priftit. Me forma të çrregullta, ama efektet e tyre çudibërëse çmohen si të jashtëzakonshme nga studiuesit.

Kjo bën që edhe në këtë fundtetori dhjetëra makina të parkojnë në vendqëndrimin e caktuar. “Rrinë plot 12 ditë – thotë shitësja e rigonit por edhe e sherbelës, mollës së egër, çajit të malit, luleshtogut, boronicave të egra, kamomilit të freskët, luleve të blirit, rakive speciale, mjaltit e lajthive të sapothyera. Në se je i çmendur pas këtyre perlave që i gjen rëndom maleve shqiptare, ndalo këtu.

Pasi pi një gllënjkë raki thane – ka bërë shumë thanë këtë vit – zhytesh në vaskën e lëkurës e cila të rrethon me avujt e ujit termomineral. Përballë ke Nemërçkën madhështore. Ndërkohë që po qesëndisesh nën avujt e squfurit, si mbretërit asokohe, hedh sytë nga Ura e Kadiut. Si gjithmonë pak inatçore pasi gjithë vëmendja e vizitorëve është për vaskat…

*

E njohur ndryshe si Ura osmane, Ura e Kadiut është Monument Kulture i Kategorisë I. Një bukuri e vërtetë edhe kjo urë.

Kalon mrekullisht nëpër një grykë të ngushtë që derdhet në lumin e Lengaricës. Ngrihet mbi një hark të vetëm me hapësirë drite 6,4 m. Qemeri i harkut përfshirë dhe arkivoltën ka trashësi 70 cm. Arkivolta shkel me dhëmbë 7 cm mbi harkun e poshtëm në ngritjen e urës, ku është patur parasysh ngushtica minimale e përroit si dhe fortesa e brigjeve duke e ndërtuar në pjesën më të ngushtë dhe duke u mbështetur në brigjet shkëmbore të qëndrueshme. Në pjesën qendrore të arkivoltës janë përfshirë katër kolona të vogla prej shtufi.

Ishte rruga e vetme që lidhte Bënjën me zonën përreth.

*

Me squfurin në lëkurë dhe pak gliko me vete, në të dalë të qytetit marrim djathtas. Ecim rreth 30 minuta në një rrugë të çakullt. Lëndina të gjelbra na ndjekin gjithë rrugës. Pastaj pak nga pak shfaqen kupolat e bardha…

Teqeja e Baba Aliut, ose teqja e Baba Abdullahut, u ngrit nga ai në 1857 si një qendër e qetësisë dhe adhurimit. Në portën hyrëse është ky mbishkrim: “Teqeja e Baba Aliut Alipostivan – 1857”.

Ndërtesat e Teqesë janë të bardha më konture të jeshilta, ndërsa kupolat ndrijnë prej diellit të tetorit e qëndrojnë si tempuj artistikë në majë të kodrës së Alipostivanit. Përballë tyre peizazhe natyrorë magjikë ngjeshen rrëzë luginës së Vjosës dhe malit të Nemërçkës.

Edhe sot ashtu si dikur njerëzit vijnë këtu për t’u larguar nga trazirat e jetës së përditshme dhe sigurisht për t’u afruar me Zotin.

Pas Baba Aliut klerikë të tjerë të mëdhenj vazhduan veprën e tij, duke shërbyer si frymëzim dhe udhërrëfyes për komunitetin bektashi dhe jo vetëm.

Një prej tyre është Baba Hekuran Nikollari, i cili me punën e tij të përulur e ka lartësuar edhe më shumë këtë teqe të mahnitshme.

Dera e Baba Hekuran Nikollarit qëndron e hapur për këdo ka nevojë. Këshillat e tij të artikuluara paqësisht e në mënyrë të drejtpërdrejtë, janë ajo qetësia që ti ke kërkuar me ngulm, teksa je ngjitur në këtë vend të mirë.

Ka një pastërti për t’u pasur zili këtu. Kjo pasi përveç Babait, punëtorët që kujdesen për mirëmbajtjen dhe funksionimin e Teqesë edhe sot e vazhdojnë traditën e bekuar të dashurisë që Baba Aliu nisi.

Ja pse, këto ndërtesa të bekuara janë në fakt më shumë se një Teqe; janë historia e shpresës dhe e përulësisë, që vetëm afrimi me Zotin mund ta sjellë.