Në orën 15:00 Gazment Bardhi u paraqit në SPAK për kallëzimin e tij për shantazh pas emailit me përgjime ku shkruhej se Vis Martinaj do i jepte Bardhit 100 mijë € përmes Erigers Mihasit. Në moment teksa po hapte derën e makinës u përplas me një motor poste që po kalonte aty. Nuk pati të lënduar nga aksidenti.
Këtë të mërkurë, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi u paraqit në SPAK, ku vuri telefonin e tij në dispozicion të hetuesve. Vetë deputeti kishte kërkuar ndërhyrjen e SPAK pas një mesazhi që i mbërriti në telefon në platformën Signal, me disa dokumente, të pretenduara procesverbale me zbardhje të bisedave nga aplikacioni i koduar SkyEcc, ku Ervis Martinaj, bosi i zhdukur i krimit, i kërkon Erigers Mihasit, i vrarë në Tiranë në nëntor 2021, të paguajë me 100 mijë euro Bardhin, para që do të shërbenin për fushatë, me kërkesë të Shkëlzën Berishës, siç shkruhet në to.
Pasi hetuesit i këqyrën telefonin, Gazmend Bardhi tha se mori prej tyre konfirmimin se dokumentet janë të falsifikuara.
“Është tashmë zyrtarisht e konfirmuar edhe nga prokurorët që ai format dhe ato procesverbale nuk ekzistojnë në përgjimet zyrtare të e SkyECC që administron prokuroria e posaçme”, tha Bardhi.
Ato dokumente janë prodhuar me qëllim kriminal për të shantazhuar një deputet të kuvendit të Shqipërisë. Në dijeni time, ka ndodhur edhe me persona të tjerë”, u shpreh Bardhi.
SPAK po kërkon të zbulojë cili është personi që ka dërguar mesazhin me këtë përmbajte në telefonin e Bardhit.
“SPAK ka marrë të dhënat e nevojshme për të verifikuar nga ka ardhur mesazhi në telefonin tim, për të identifikuar dhe autorët e këtij krimi të rëndë. Kam besim që nuk është vetëm në interesin tim personal, se qëllimi i tyre ka qenë të shantazhojnë Bardhin me prodhimin e lajmeve të rreme, unë nuk shantazhohem. Kjo është një çështje edhe në interes të SPAK. Askush s’mund të guxojë të fabrikojë të dhëna të rreme dhe t’ia faturojë atë SPAK.
I jam drejtuar SPAK se dyshimi im është se personat që kanë sajuar këtë veprim kriminal ose janë subjekte të krimit, ose zyrtarë të lartë publikë që dalin realisht në përgjimet e Sky ECC. I dhashë sqarime Dumanit dhe Shehut, i vura në dispozicion telefonin tim” tha ai.
Edhe Krimi kibernetik në Policinë e Shtetit ka nisur një hetim për të zbuluar personin qe fshihet pas e-mailit nga një domain që nuk gjurmon IP-në, dërguar në disa media me të njëjtat biseda që përfunduan në telefonin e Bardhit.
Emaili në disa media është nisur nga një domain jo i zakonshëm, “Proton Mail”, një shërbim i koduar, i cili ka nivel të lartë sigurie dhe nuk gjurmon IP e dërguesit. Për të rënë në gjurmët e autorit të dyshuar, policia ka marrë të dhënat e nevojshme nga emaili dërgues mbi të cilat do të kërkojë informacion tek autoritetet zvicerane, ku kompania Proton Mail është e vendosur.
Adresa e emailit që mban emrin “Mbreti Zog”, u dërgoi disa mediave dokumentet që pretendohet të jenë zbardhjet e oficerëve të policisë gjyqësore në SPAK, të biseda të koduara nga aplikacioni Sky Ecc mes bosit të zhdukur të krimit, Ervis Martinaj, dhe Erigers Mihasit, i vrarë në Tiranë në nëntor 2021, i përfshirë në grabitjen e dhunshme të prindërve të Elton Cicos në Tepelenë.
Mesazhi i koduar në të cilin Martinaj i kërkonte Mihasit t’i jepte 100 mijë euro Bardhit te një hotel i njohur në Tiranë, pretendohet sipas 2 faqeve dokumente në e-mail, të jetë dërguar në shkurt të vitit 2021.
Ervis Martinaj shfaqet si personi që financonte fushatën e PD për zgjedhjet e 2021 me kërkesë të Shkëlzen Berishës
Kodi i Sky ECC që pretendohet i Ervis Martinaj – NP8LS4
Shkon dot deri te zyra të marrësh 100 mijë euro. T’i çoje deri te M**** (emër hoteli në Tiranë) t’ia jepje Gaz Bardhit. Bëji telefon në Signal kur të jesh aty, që të ulet t’i marrë.
Kodi në SKYECC që pretendohet i Erigers Mihasit – TI8I2F –
Po pse po ju jep kaq shumë se këta nuk do vijnë kurrë në pushtet
Kodi në SKYECC që pretendohet i Ervis Martinaj – NP8LS4
Po çfarë t’i bëj Zenit se për këtë s’po e rruaj k****. Fola me të (me Bardhin nënkuptohet) i do për fushatë. I thashë edhe për grupin e shoqërimit që e paguaj unë.
Kodi në SKYECC që pretendohet i Erigers Mihasit – TI8I2F
Ja dhashë, të fala bëri. Ishte optimist për fitore
Report Tv ka kërkuar edhe një reagim zyrtar nga SPAK, nëse dokumentet me zbardhjen e bisedave nga SKYECC, janë autentike dhe pjesë të hetimeve, por ende nuk ka një përgjigje.